Presidenca: Letra e Qeverisë dërguar në KiE, pa konsultim me Osmanin

16:12 | 16 Maj 2024
E.H

Këshilltari për medie i presidentes, Bekim Kupina, thotë se presidentja, Vjosa Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës, “si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve”.

“Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve, që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën. Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht, po ashtu, të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione” ka thënë Kupina për RTKlive.

Ai njofton se presidentja Osmani, gjatë gjithë ditës, është duke vazhduar konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi.

“Rrjedhimisht, presidentja Osmani do ta mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të këtij synimi, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme, ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, bëri të ditur Kupina.

Lexo edhe:

Gërvalla: Letra për Këshillin e Evropës është zotim serioz

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme