Presidenca jep detaje se çfarë u diskutua në takimin mes Osmanit dhe ministrit çek

11:38 | 24 Janar 2024
K.B

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvořák.

Presidenca e Kosovës përmes një komunikate për media njofton se në fokus të diskutimit ndërmjet Presidentes Osmani dhe ministrit Dvořák, ishte situata aktuale politike dhe e sigurisë, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe stabiliteti rajonal.

“Presidentja Osmani, nënvizoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës në rrugëtimin euroatlantik, duke theksuar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, përfshirjen në Partneritetin për Paqe, anëtarësimin në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare. Mëtej, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës”, thuhet në njoftim, shkruan Arbresh.info

Duke nënvizuar vazhdimin e mbështetjes së Republikës Çeke në këtë rrugëtim, Osmani potencoi rëndësinë strategjike të përfshirjes së Kosovës në PfP, e më pas në NATO, si një garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit.

Ndërlidhur më këtë, Presidentja i, gjithashtu tha se Kosova meriton ta marrë statusin e vendit kandidat në BE, si vend që ka realizuar reforma rrënjësore.

Në takim me ministrin Dvořák, Presidentja Osmani theksoi se sulmi terrorist dhe agresioni i 24 shtatorit në Banjskë, i mbështetur dhe sponzorizuar nga Serbia ishte përpjekje për ta minuar paqen dhe stabilitetin, jo vetëm të Kosovës, por të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Tutje,  Osmani theksoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog.

Duke spikatur marrëdhëniet e kahershme pozitive ndërmjet Kosovës dhe Republikës Çeke, të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët./Arbresh.info/

LEXO EDHE:

Osmani pas takimit me ministrin çek: Një mik i kahershëm i vendit tonë

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme