Presidenca deklarohet për angazhimin e lobuesit të afërt me Trumpin

18:59 | 12 Janar 2018
Arbresh.info

Zyra e Presidentit të Kosovës ka thënë se kompania lobuese amerikane “Ballard Partners” do t’i ofrojë Kosovës ndihmë në transformimin e FSK-së, në thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në disa fusha të tjera.

Në një prononcim për Insajderin, Zyra për Media e Presidencës ka thënë se kompania “Ballard Partners” do të ndihmojë Kosovën në proceset integruese euro-atlantike.

“Kompania do ndihmojë shtetin tonë në thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale, zhvillimin e ekonomik dhe sigurinë, nxitja e investimeve tregtare etj”, ka thënë Zyra e Presidentit Hashim Thaçi.

Përmes një njoftimi të publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Presidenca tregon më 22 dhjetor të vitit të kaluar, gjysmë milionë euro të taksave të qytetarëve janë bërë gati për tu shpenzuar për ta përmirësuar imazhin e presidentit Thaçi.

Presidenca thotë se një nga arsyet përse u angazhua kjo kompani, ka të bëjë me mbështetjen e iniciativave të institucioneve të Kosovës për implementimin e synimeve strategjike.

“Ajo, me përvojën dhe kontaktet që ka, do të mbështes iniciativat e institucioneve të Kosovës për ballafaqimin më të kaluarën, duke ndihmuar në krijimin e një dinamike të re në procesin e pajtimit”, thuhet në përgjigjet e Zyrës së Presidentit.

Presidenca thotë se “Kompania [Ballard Partners, v.j] do ndihmojë shtetin tonë në thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale, zhvillimin e ekonomik dhe sigurinë, nxitja e investimeve tregtare etj”.

Në njoftimin për kontratën mes shtetit të Kosovës dhe kompanisë së Brian Ballard, bëhet e ditur se nuk ka pasur tender të hapur për angazhimin e kompanisë “Ballard Partners”. Kompania e Ballard ka qenë i vetmi konkurrent, nëpërmjet procedurës së negociuar/të mbyllur.

Por, Presidenca thotë se procedurat për angazhimin e kësaj kompanie janë zhvilluar konform ligjit.

“Procedurat kanë filluar pas kërkesës që Presidenca i ka bërë Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa për ndarje të buxhetit shtesë për angazhimin e një kompanie ndërkombëtare të konsulencës. Pas miratimit të buxhetit nga komisioni dhe më vonë nga Parlamenti i Kosovës, përmes ligjit të buxhetit, Presidenca ka zhvilluar procedurat në harmoni me ligjin”, ka deklaruar Zyra e Presidentit.

Kompania “Ballard Partners” është bërë e njohur gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi themeluesi i kompanisë Brian Ballard kishte mbledhur fonde për fushatën e Donald Trump në shtetin e Floridas.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme