Google ADS

Premtimi i Vetëvendosjes për banesa, Zemaj: Në aspektin strukturor dhe buxhetor e pamundur të ndodhë

12:12 | 11 Shkurt 2023
A. B.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka shprehur kritika në drejtim të Qeverisë aktuale, të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, në krye me liderin e saj, Albin Kurti.

Ai, në një intervistë të shkurtër për “Arbresh.info”,  thotë se kjo qeveri ka ardhur pa ndonjë program, pa ndonjë platformë dhe nuk ka asnjëherë një saktësi të shpërfaqjes programore ose të objektivave të qarta.

Duke folur për një ndër premtimet e Kurtit gjatë fushatës zgjedhore, që ishte banesa për çiftet e reja, duke thënë se ka mbetur një premtim popullsitë, i pabazuar në ndonjë projeksion buxhetor.

“Siç duket akoma mbetet premtim popullsitë, i pabazuar në ndonjë projeksion buxhetor, apo me afatet e sakta kohore. Mbi të gjitha, ajo çka është si ndodhi e keqe është çoroditja e sektorit të mirëqenies sociale në Republikën e Kosovës. Akoma nuk janë ndarë kompetencat e ish-Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila ka mbetur pezull.  Kjo ka shkaktuar devijim nga pjesa programore dhe mirëqenia sociale është shndërruar në instrument të lëmoshës, ose të dëshirës politike të VV-së, e kryeministrit Kurti se kujt i shërben dhe kujt i ofron të holla si ndihmë sociale. Por pa ndonjë efekt në mirëqenie dhe pa ndonjë efekt bazë të shtuar, e cila kalon në një situatë ku ka zhvillim ekonomik ose diçka tjetër pozitive”, shprehet Zemaj.

Ai thotë se një premtim i tillë është e pamundur të realizohet.

“Edhe në aspektin strukturor edhe buxhetor është e pamundur që të ndodhë, por, po ashtu siç janë dhjetëra e dhjetëra premtime të pabazuara me demagogji të theksuar duket se edhe ky premtim ashtu do mbetet deri në fund”, thotë deputeti i LDK-së.

Kjo qeveri, sipas tij, ka ardhur pa ndonjë program, pa ndonjë platformë dhe nuk kemi asnjëherë një saktësi të shpërfaqjes programore ose të objektivave të qarta.

Edhe në agjendën legjislative, sipas tij, janë ligjet e bartura nga viti në vit, pa ndonjë koncept,  as saktësi, por mbi të gjitha as pa procedurë përmbajtjesore, e cila e avancon sektorin e mirëqenies.

“Kjo legjislaturë apo mazhorancë vuan për statistika, por jo për cilësi dhe përmbajtje. Pothuajse dhjetëra ligje në vitin e kaluar kanë qenë plotësim-ndryshime ose ndryshime periferike, por asgjë në substancë dhe përmbajtje e cila e avancon ose eliminon ndonjë efekt të pazgjidhur nga e kaluara. Që do me thënë, kjo është ajo që po ndodhë me këtë legjislaturë”, pohon Zemaj për “Arbresh.info”.

Ndryshe, Vetëvendosje në fushatën e zgjedhjeve parlamentare një ndër premtimet e kishte edhe zgjidhjen e problemit të banimit për çiftet e reja dhe disa kategori.

“Si përgjigje ndaj këtij problemi do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4000 familje vetëm gjatë mandatit të parë qeverisës. Kjo do të arrihet përmes programit “150×150”, ku familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve”, thuhej në programin qeverisës të VV-së.

Po ashtu, thuhej se kjo vlen si për çiftet e reja, gratë kryefamiljare, por edhe shërbyesit publikë, si arsimtarët, infermierët, policët, zjarrfikësit apo edhe administrata publike..

“Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, por kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit i cili do të themelohet dhe ngarkohet me implementimin e projektit. “Çmimi i ndërtimit për metër katror – Nëse marrim për bazë çmimet e tregut aktualisht, ndërtimi i një metri katror për banim kushton prej 200 deri 300 euro. Marrë parasysh sasinë e ndërtimit, mund të thuhet me siguri të lartë se çmimi i këtyre banesave nuk do të tejkalonte 250 euro për metër katror. Madhësia mesatare e një banese – Nëse krahasojmë madhësinë e në banese me një dhomë ndeje dhe dy dhoma gjumi, përfshirë edhe hapësirat e përbashkëta (korridoret, shkallët) atëherë del se mesatarja e metrave katror për një banesë do të duhej të ishte rreth 80 metra”, thuhej ndër të tjera në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje./Arbresh.info./ Pleurat Salihu/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme