Premtimet megalomane të “superkryetarëve” të ardhshëm

09:08 | 26 Shtator 2021
Përparim Bublaku

Subjektet politike tash e nëntë ditë janë duke bërë fushatë zgjedhore, ku para qytetarëve po bëjnë edhe premtime të mëdha. Megjithatë, premtimet e subjekteve politike në këtë kohë nuk po vlerësohen reale nga analistët politikë, sidomos ato të kandidatëve për Prishtinën.

Sipas analistëve, subjektet politike gjatë fushatës zgjedhore bëjnë premtime të mëdha vetëm për të tërhequr elektoratin e tyre.

Analisti politik Gazmir Raci vlerëson se këto premtime janë si flluska bore, shkrihen pas fushatës zgjedhore, e nuk janë aspak bindëse.

Sipas tij, Prishtina ka nevojë për mirëmbajtjen e rrugëve, e të zgjidhet problemi me ajrin e ndotur gjatë dimrit, gjithashtu dhe mungesa e parqeve.

“Këto premtime absolutisht nuk janë bindëse sepse nuk janë nevojat reale te qytetareve. Pasi që Prishtina ka shumë probleme më të rëndësishme se sa këso aktivitete rekreative. Liqeni artificial është e paarritshme dhe është e panevojshme një gjë e tillë me ndodh. Kemi probleme me ndërtime pa leje, mirëmbajtja e rrugëve, mungesa e parqeve, problemi me ajrin gjatë dimrit është i ndotur. Këto premtime janë si flluska bore, shkrihen pas fushatës zgjedhore dhe nuk i pranon më askush”, thotë ai për arbresh.info

Të njëjtin mendim për premtimet e subjekteve politike e ndanë edhe analisti, Shkodran Ramadani.

Ramadani thotë se shumica e premtimeve nga subjektet politike nuk mund të realizohen e disa nga to janë edhe qesharake.

“Secili kandidatë i benë premtimet e veta dhe nuk e kanë kredibelitetin e njëjtë, shumë prej tyre premtimet që i bëjnë i bëjnë në ajër, dhe pa ndonjë baze solide. Në të kaluarën nuk është që
kanë realizuar premtime të tilla, dhe çështja e liqenit është shumë qesharake për momentin. Gjatë fushatës premtimet gjithmonë janë më të mëdha se sa potenciali për me realizuar”, thotë ai.

Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë, buxhetit të Kosovës i pati kushtuar rreth nëntë milionë euro, me një proces të stërzgjatur e shumë të vonuar.

E, pikërisht ky stadium përfolet të shndërrohet në liqen nga kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama.

Kandidati i AAK-së, Daut Haradinaj po premton gjatë kësaj fushate se Prishtina do të bëhet me teleferik.

Ndryshe, më 16 shtator në Kosovë ka filluar zyrtarisht fushata e partive politike për zgjedhjet lokale 2021. Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor ku qytetarët do të mund të votojnë për kandidatin që do ta kenë për katër vitet kryetar.

Në ditën e zgjedhjeve, më 17 tetor do të jenë në dispozicion 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime për kandidatët për kryetar të komunave, ndërsa e njëjta do të jenë edhe për asambletë komunale./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme