Premtime, synime e emra të rijnë në listë- çfarë premtojnë partitë për zgjedhjet e 9 shkurtit

11:00 | 3 Janar 2025
K.B

Kanë mbetur një muaj e pak ditë deri në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Partitë tashmë veçse kanë prezantuar deputetët, dhe kanë filluar fushatën në qytete e fshatra të ndryshëm të Kosovës.

Me sllogane të ndryshme, e figura të reja në listë , secila prej partive premton shumë.

Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar listën e saj për deputetë.

Risitë e VV-së në këto zgjedhje janë këngëtarja Edona Llalloshi dhe analisti Nezir Kraki.

Ndërsa mungon emri i ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Me sloganin #Kurti3, VV-ja synon që në këto zgjedhje t’i marrë 500 mijë vota.

Partia Demokratike e Kosovës me kandidat për kryeministër Bedri Hamzën ka nisur fushatën qysh moti.

Pothuajse në çdo qytet të Kosovës, Hamza ka premtuar kushte më të mira të punës, e rritje page prej 50 përqind, si dhe asnjë pension nën qeverisjen e tij nuk do të jetë nën 200 euro.

Edhe PDK-ja ka pasur risi për këto zgjedhje.

Djali i këngëtares Shkurte Fejza i ka hyrë garës për deputet.

Kosova mundet ma mirë është slogani që ka zgjedhur PDK-ja këtë herë.

#Bëhundryshimi është sllogani që ka zgjedhur Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Me kandidatin për kryeministër Lumir Abdixhiku, është premtuar që qysh në ditën e parë do të rriten pagat.

Ai premton rritje 34 përqind të pagave në sektorin publik.

E sa i përket listës së kandidatëve për deputetë, me numrin 77 në këtë listë është fituesi i Big Brother Vip Kosova 2, Lumbardh Salihu.

A do të arrij ai që të ketë fatin e njëjtë si në BBVK edhe në garën me LDK-në.

E koalicioni mes AAK-së dhe Nismës premton vetëm vepra.

Të paktën kështu thotë sllogani i tyre.

Edhe Ramush Haradinaj njësoj si Hamza e Abdixhiku ka premtuar rritje page prej 50 përqind.

E paga mesatare do të jetë 1000 euro që në vitin e parë të qeverisjes.

Ndërsa synimi kryesor mbetet hyrja e Kosovës në NATO.

Kësaj here një parti e re, Lista për Familjen synon që në krye me Eman Rrahmanin t’i mbrojë vlerat e familjes.

Ky i fundit u largua nga Lëvizja Vetëvendosje për çështje ideologjike, konkretisht për shkak se është kundër Ligjit për Kodin Civil dhe atij për fertilizimin e asistuar mjekësor.

Më 31 korrik, presidentja Vjosa Osmani ftoi të gjitha partitë parlamentare në konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve. Në këtë takim nuk mori pjesë kreu i partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.

Pas atij takimi, Osmani kishte thënë se partitë kanë pasur propozime të ndryshme për datën e zgjedhjeve, por askush nuk ka insistuar për një të tillë. Disa nga datat e përmendura ishin 26 janari ose 2, 9 dhe 16 shkurti.

Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.

Në fund të majit dështoi një nismë e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në zgjedhjet të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit.

Ky opsion u kundërshtua nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kërkuan që Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti të japë dorëheqje apo të shkarkohet. Por, këto dy kërkesa u kundërshtuan nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Mbetët të shihet më 9 shkurt se cila parti do të jetë fituese në zgjedhje.

Gjithçka para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve, Arbresh.info do të ju mbajë të informuar./Kujtesë Berisha/

Të ngjashme