Marko Prelec, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, thotë se vendimi që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, do të duhej të negociohej në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë që i ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
Sipas tij, dinari “nuk është vetëm një monedhë – për të mirë ose për të keq, komuniteti serb varet prej tij”.
Ai thotë se vendimi për të, ashtu si dhe mbyllja e disa komunave paralele serbe në Kosovë, do ta ndikojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që pritet të formohet.
“Ashtu siç janë gjërat tani – ose nuk do të kemi asociacion, ose do ta kemi një sa për të thënë, që do të jetë një institucion bosh, të cilin Qeveria do ta krijojë në mënyrë të njëanshme, pa asnjë përpjekje reale për t’i plotësuar nevojat e komunitetit që supozohet se duhet ta ndihmojë. Dhe, kjo është për keqardhje”, thotë Prelec.
Ai, po ashtu, thekson se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian po përballen me ndikim të kufizuar në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Prelec, si i shihni veprimet e fundit të autoriteteve kosovare për të miratuar një rregullore që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, si dhe për mbylljen e disa komunave paralele serbe?
Marko Prelec: Mendoj se Qeveria e Kosovës po lëviz më shpejt se që prisja prej saj, po lëviz në atë drejtim që e ka synuar për ca kohë e që ka qenë vendosja e rendit juridik të Kosovës në gjithë territorin e saj dhe heqja e pjesëve të mbetura të Serbisë, që janë të pranishme në mënyrë substanciale në komunat në veri, por në një lloj mënyre edhe në disa zona të tjera me shumicë serbe.
Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni faktin që edhe 25 vjet pas luftës përdoret edhe dinari dhe funksionojnë edhe institucionet serbe?
Marko Prelec: Po e shohim zgjidhjen tani. Është zgjidhje e njëanshme, që do ta bëjë të pamundshëm përdorimin e dinarit…
Radio Evropa e Lirë: Ka pasur reagime të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar…
Marko Prelec: Mendoj se sfondi i atyre reagimeve të ashpra, të cilat janë krejtësisht të kuptueshme, është se këto gjëra janë jashtëzakonisht të rëndësishme për komunitetin serb në Kosovë, si në veri ashtu edhe në jug. Ata varen në mënyrë ekzistenciale nga institucionet serbe. Nëse ato i largoni brenda natës, ata njerëz, shumica dërrmuese, mendoj se do të kishin pak mundësi të tjera, veçse të përpiqen të largohen.
Megjithatë, dua të jem i kujdesshëm këtu – Qeveria e Kosovës, duke bërë atë që po bën, nuk po përpiqet t’i dëbojë serbët. Mendoj se nuk ka asnjë shenjë për këtë. Por, efekti i asaj që bën, çon në tkurrje të komunitetit. Kjo mund të ketë pasoja shumë fatale për karakterin multietnik të Kosovës dhe për shpresat e saj për marrëdhënie të përmirësuara me Serbinë, si dhe për integrim të plotë në komunitetin ndërkombëtar. Mendoj se këto shqetësime janë në thelb të reagimeve të miqve perëndimorë të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Atëherë, si do të duhej të vepronte Qeveria e Kosovës, sipas jush?
Marko Prelec: Mendoj se nuk është mënyra e duhur. Jam dakord me shqetësimet e shprehura nga Ambasada amerikane dhe të tjerët.
Por, mendoj se e kuptoj llogaritjen që është bërë edhe në Prishtinë. Ata, thjesht, nuk besojnë se, nëse e trajtojnë komunitetin serb me një shkallë fleksibiliteti dhe zemërgjerësie dhe i ofrojnë një shkallë të vetëqeverisjes, në këmbim do të marrin normalizimin [e marrëdhënieve] me Serbinë. Ata nuk besojnë në qasjen “jep e merr”. Nuk besojnë se Serbia sillet me ta në mirëbesim. Frika e tyre është se, nëse krijojnë një bashkësi autonome ose asociacion komunash të caktuara, Serbia do ta marrë atë dhe nuk do të bëjë asgjë. Kjo nuk është një frikë e paarsyeshme. E kuptoj, por, megjithatë, mendoj se është gabim.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Kosova tani duhet ta shtyjë zbatimin e vendimit që e ndalon dinarin?
Marko Prelec: Mendoj se duhet. Mendoj se kjo është diçka që duhet të ndodhë. Por, mendoj se është shumë më mirë nëse bëhet në mënyrë të negociuar përmes dialogut në Bruksel. Duhet një sistem që e zëvendëson atë që bën dinari. Dinari nuk është vetëm një monedhë, është gjithashtu një sistem i madh i pagesave serbe. Për të mirë ose për të keq, komuniteti serb varet prej tij. Pra, është shumë më mirë nëse bëhet në një mënyrë të planifikuar dhe të negociuar.
Radio Evropa e Lirë: Po, por Kosova nuk do kështu dhe ky është një tjetër shembull i refuzimeve të kryeministrit Albin Kurti – pas Asociacionit, targave… Këto refuzime në të kaluarën janë përcjellë me masa të caktuara. A prisni tani masa të reja nga Perëndimi kundër Kosovës?
Marko Prelec: Mendoj se Perëndimi fiton relativisht pak nga vendosja e masave ose sanksioneve kundër Kosovës. Mendoj se një nga gjërat me të cilat po përballen SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, është ndikimi i kufizuar i tyre në Kosovë. Ka ekzistuar për kohë të gjatë perceptimi se diplomatët perëndimorë, e veçanërisht ambasadori amerikan është një lloj sundimtari në Prishtinë. Për kohë të gjatë, askush nuk ka bërë përpjekje ta ndryshojë këtë. Kurti e ka bërë. Është fakt se ai është kryeministër i Qeverisë së Kosovës, ai ka fuqi dhe mund të bëjë çfarë të dojë.
Unë nuk pres më tepër se përgjigje retorike. Kurse, Kosova ka të ngjarë ta paguajë çmimin duke mbetur në statusin e saj aktual ndërkombëtar për një të ardhme të parashikueshme.
AUV në pritje të rezultateve për mandarinat e importuara nga...
E akuzoi se ka pëlqim ndaj tij, Gresa shpërthen në lot nga X...
Grupi “Shkodra Elektronike” me një falënderim të veçantë për...
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje e Rugovës ia dha...
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...