Kërkesës ndërkombëtare për kthimin e serbëve të dorëhequr nga Institucionet e Kosovës që të kthehen në pozitat e tyre që i kishin, që e nisën me direktivën e drejtuesve të Listës Serbe dhe me bekimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i është rreshtuar edhe administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power.
Por, a mund të bëhet kjo dhe a shkelet ligji, duke pranuar kërkesën e përfaqësuesve ndërkombëtar, organizatave dhe shteteve kyçe që edhe pse vetë të dorëhequr të bëhet përjashtimi dhe t’u mundësohet kthimi, për mediumin online ‘Arbresh.info’ kanë folur deputetë të pozitës dhe opozitës.
Arbër Rexhaj, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, thirrjen e Power që të kthehen në pozitat e tyre serbët e dorëhequr, nuk e kupton dhe e sheh si të pa mundur, sipas tij policët e dorëhequr tashmë janë zëvendësuar, ai kërkon që të respektohet kushtetuta dhe ligjet e vendit, e nëse ka hapësirë brenda ligjeve të Republikës së Kosovës, atëherë mund të kthehen.
“Unë nuk e kuptojë fillimisht kërkesën për arsye se një pjesë e atyre serbëve të cilët kanë lënë institucionet, sidomos në Policinë e Kosovës, tashmë janë zëvendësuar. Unë mendojë se duhet respektuar kushtetuta dhe ligjet e vendit dhe nëse ka hapësirë brenda ligjeve të Republikës së Kosovës, mundë të kthehen. Mirëpo mandej, me aq sa kam unë njohur dhe dije kjo është pamundur”, ka thënë Rexhaj i LVV-së.
Ndërsa, për deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani, nëse ka pasur arsye nga të dorëhequrit mund të kthehen, por ai mendon se në nëntor të vitit 2022, kur u larguan ata nuk kishin arsye dhe për këtë ata nuk duhet të kthehen, por duhet të respektohet dhe t’i nënshtrohen procesit ligjor që është konkursi.
“Janë procedurat ligjore. Nëse nuk ka pasur asyeshmëri, dhe besoj se nuk ka pasur arsye të tërheqjes. Unë mendoj që nëse nuk e kanë arsyeshmërinë e tërheqjes, ata nuk duhet me u kthy, duhet të respektohet dhe t’i nënshkruhen procesit ligjor që është konkursi nëse dikush dëshiron të kthehet përsëri në atë institucion”, ka thënë Shabani i PDK-së.
Deputetët Rexhaj e Shabani kërkojnë që mos t’i mundësohet kthimi asnjë personit të dorëhequr, çoftë gjyqtar apo prokuror, zyrtar komunal ose polic, nëse i është pranuar arsyeja dorëheqjes, ata po kërkojnë që zëvendësimi i tyre të bëhet duke respektuar procedurën e konkurrimit nëpërmjet konkursit publik.
Këtë nuk e lejon as legjislacioni që është në fuqi në Kosovë, thonë të dy ligjvënësit.
Rexhaj ka thënë se me aq sa ka njohuri nuk e mundëson ligji një veprim të tillë.
“Me aq sa kam njohuri, ta keni parasysh, nuk jam jurist apo njohës i aspekteve ligjore. Por me aq sa kam njohuri, unë e di që jo nuk lejohet kthimi”, ka thënë Rexhaj.
E deputeti i PDK-së thotë se nuk ka ligj të tillë që do kishte lejuar kthimin e tyre, madje ai shkon edhe më larg ku thotë se në disa institucione kanë kod etik të punës dhe veprimit, kjo është shkelur prandaj nuk duhet lejuar kthimi.
“Mendoj që nuk ka ligj që nëse kanë dhënë dorëheqje, nëse nuk gabojë përveç tek Prokuroria. Nëse kanë dhanë dorëheqje dhe janë aprovuar, kthimi i tyre nuk duhet dhe nuk ka ligj që i kthen. Sa i përket organeve të sigurisë dhe ligjit, për shembull Gjykatat, ata kanë një kod etik. Dhe nëse e kanë shkel atë kod etik pa asnjë arsye, mendoj që ata nuk kanë të drejtë, dhe nuk do të ishte logjike që ata me pas të drejtën me konkuru”, ka thënë deputeti Shabani.
Edhe pse sipas deputetit të LVV-së kërkesat e ndërkombëtarëve dhe të administratores së USAID-it, Power, janë për krijimin e stabilitetit, kjo sipas tij nuk mund të bëhet nga ata që me një gisht të presidentit serb Vuçiç, largohen nga institucionet kosovare, por edhe duhet kërkuar garanci nga ta që në të ardhmen nuk do të përsëritet e njëjta.
“Unë e mirëkuptojë kërkesën sepse faktori ndërkombëtarë realisht kërkojnë që të mos ketë, ta themi të ketë një lloj stabiliteti në këtë kuptim. Mirëpo, unë nuk mendojë që stabiliteti bëhet pikërisht për ata të cilët, pra me një gisht të Vuçiçit të lëshojnë institucionet dhe kemi garancinë në të ardhmen që të njëjtën gjë nuk do ta bëjnë”, ka thënë në fund ligjvënësi Rexhaj.
Në nëntor të vitit të kaluar gjyqtarët e prokurorët, zyrtarët komunal dhe policë serbë u larguan nga Institucionet e Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, serbët t’i heqin targat ilegale dhe t’i regjistrojnë automjetet në RKS, si dhe kërkesa e tyre ishte themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe./Arbresh.info/Pleurat Salihu/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...