Google ADS

Pozitë dhe opozitë: Kosova duhet ta ketë ushtrinë me apo pa partnerët strategjikë

19:29 | 9 Mars 2017
Arbresh.info

Inicimi i Projektligjit nga presidenti Hashim Thaçi, për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës, ka ngjallur reagime të partnerëve strategjik të Kosovës si SHBA dhe NATO, sipas të cilëve transformimi i FSK-së, duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese.

Por, përfaqësues të partive politike dhe zyrtarë institucional, pohojnë se kjo gjë është e pamundur, meqë qëndrimi i deputetëve serbë kundër ndryshimeve kushtetuese, mbetet i pandryshuar dhe se transformimi mund të bëhet tani për tani, vetëm përmes këtij Projektligji.

Rexhep Selimi nga Vetëvendosje thotë se ata janë pro krijimit të ushtrisë, pavarësisht a bëhet me ndryshime kushtetuese apo me Projektligjin e iniciuar ditë më parë nga presidenti Thaçi.

“Edhe me amendamentet kushtetuese dhe Projektligjin për rritjen e kapaciteteve të FSK-së në kapacitete ushtarake, ne e kemi mbështetur, vazhdojmë t’i mbështesim dhe do t’i mbështesim, pavarësisht që përtej saj mund ndoshta dhe të ketë agjenda politike, elektorale të iniciuesve. Sidoqoftë ne jemi komod në këtë çështje. E presim në Kuvend dhe do t’i mbështesim. Por njëkohësisht edhe nuk do të futemi në lojëra dhe role, që nuk na takojnë as në lojëra politike dhe elektorale as në lojëra tjera që mund të jenë përtej saj. Andaj VV dhe njëherë e konfirmon mbështetjen për rritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së, në ushtri qofshin ato ndryshime kushtetuese qofshin ato ndryshime ligjore”, tha deputeti i Vetëvendosjes.

Sipas tij, transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës në mandatin e kaluar dhe në këtë mandat, ka ardhur në fund të mandatit për t’u kthyer në agjendë elektorale dhe se kjo çështje nuk do të duhej të futet në një skenar elektoral dhe politik.

“Në radhë të parë do të duhej të identifikohej dhe njëherë iniciuesi, për shkak se është nxjerr në opinion se është nismë e Thaçit. Në fakt kjo nuk është nismë e Thaçit. Le të jetë edhe Nismë e Thaçit, ne nuk kemi problem. Kjo është lojë mes partnerëve të koalicionit, se kush e nisi i pari apo i dyti, kjo është çështje krejt e tyre por sido që të jetë ky është një diskutim i gjatë që ka ndodhur sidomos prej 2014… Tash del nganjëherë për shkaqe krejt patetike, jo rrallë herë dhe mediokre, çështja se kush e nisi i pari, kush e nisi i dyti. Neve kjo nuk na intereson fort dhe nuk merremi me këtë. Lëvizja VV mbështet rritjen e kapaciteteve të FSK-së në kapacitete ushtarake dhe po ashtu, mbështet në rrethana tjera dhe ndryshimet kushtetuese, gjë që duket tash për tash për shkak të pozicionit të listës serbe, nuk mund të bëhet dhe është ditur qysh në fillim se nuk mund të bëhet. Këtë e kanë dek laruar dhe përfaqësuesit e Listës serbe, të cilët në vazhdimësi e thonë që ne nuk kemi pasur asnjëherë qëndrim, për t’i votuar as ndryshimet kushtetuese as ndryshimet ligjore. Pavarësisht se nganjëherë Thaçi edhe dje foli në emër të tyre, gjë që është një e pa vërtetë se Lista serbe dhe serbet deputet edhe para listës serbe, asnjëherë nuk e kanë mbështetur, për shkak se nuk e ka mbështetur as Qeveria e Serbisë. Po del që Thaçi nuk është konsultuar me faktorët relevant, që i bie që nuk është konsultuar as me SHBA-të, në të cilët thirret në bashkëveprim të plotë siç thotë ai. Nuk është konsultuar as me anëtarët e shteteve të Kuintit as me përfaqësues të NATO-s, krejt çka është konsultuar doli një telefonatë pardje e Thaçit me Vuçiçin që mendoj që do të duhej të ishte ose e fundit ose nuk duhet të ndodhte fare”, tha ai.

Edhe Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën thotë se ata janë për Projektligjin e iniciuar nga presidenti për transformimin e FSK-së në ushtri. Ndërsa thotë se pavarësisht reagimeve të NATO-s e SHBA-ve, Kosova tani më duhet të sillet si shtet dhe ta formojë ushtrinë e saj, pasi që serbët nuk miratojnë ndryshimet kushtetuese, për formimin e ushtrisë së Kosovës.

“Është marrë një hap nga presidenti, për të cilin nuk e di a i ka bërë ato konsultat të cilat janë pretendu në një seancë me u ba. Sido që të jetë Nisma për Kosovën është për variantin i cili është tash në qarkullim. Për arsye se jemi shumë të sigurt, që politika zyrtare e Vuçiqit përmes Listës ‘Srpska’ nuk lejon ndryshimet kushtetuese. Ne jemi që FSK të transformohen në forca të armatosura, misioni i tyre të ndryshojë dhe ne përmes ushtrisë t’i kontribuojmë paqes jo vetëm në Kosove por dhe në rajon…Presidenti tash e tri vjet e di se si është situata rreth këtij ligji. Unë kam menduar se ai është konsultuar. Pavarësisht reagimeve mendojmë se Kosova është momenti që të sillet si shtet. Reagimet edhe të NATO-s dhe të ambasadës Amerikane janë kanë të pritshme, meqë Hashimi ka bërë një akrobacion të këtij niveli pa u konsultu. Por sido që të jetë unë mendoj që në procedurë e sipër, ka kohë për me u ba sqarime shtesë dhe mund të binden dhe partnerët në fushën e sigurisë, se Beogradi nuk jep miratimin për ndryshimeve kushtetuese rreth ushtrisë së Kosovës”, tha Berisha.

Por, më të kujdesshëm rreth kësaj çështje, janë deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo që është në koalicion qeverisës me PDK-në, të cilën e udhëhoqi Thaçi deri në inaugurimin e tij për president të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri thotë se ushtria e Kosovës, duhet të bëhet tashmë, por gjithmonë në koordinim me partnerët strategjik të Kosovës, siç është NATO dhe SHBA-të, me qëllim që jetë një ushtri funksionale dhe jo vetëm ushtri në letër.

Beqiri thotë se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për formimin e ushtrisë, sepse Kosova nuk mund të mbetet peng i shantazheve dhe kushtëzimeve të Listës Serbe.

Megjithatë, sipas tij tashmë kur projektligji ka shkuar në Qeveri, duhet të bëhen të gjitha konsultimet dhe kontaktet e nevojshme me akterët e rëndësishëm, në mënyrë që të kemi një projektligj, që do të ishte i pranueshëm dhe i përkrahur dhe nga parterët strategjik të Kosovës.

“Është një afat ligjor, të gjithë akterët duhet të jenë të kyçur. Të gjitha forcat tona pse jo edhe politike edhe profesionale dhe miqtë tanë partnerët tanë, pa të cilët duhet me pranu, duhet me e dit, nuk është jo vetëm emocion i yni që duhet të kemi ushtri. Është edhe emocion edhe nevojë dhe kërkesë. Por këto punë nuk kryhen vetëm me emocion dhe vetëm me dëshirë, nëse nesër nuk mund ta kapitalizojmë dhe ta kemi një ushtri ashtu siç dëshirojmë ne. Fundi i fundit shtëpia pa miq nuk mbahet. E lëre më një shtet pa partner dhe pa miq në këtë rrugëtim tonin në një Ballkan i tillë çfarë është i rrethuar me njëfarë armiqësie”, tha Beqiri.

Sipas tij gjithsesi që Kosova dëshiron të hyjë në NATO dhe askusn nuk mund të jetë kundër.

LDK sipas tij nuk do të bëhet pengesë që të bëhet ushtria mirëpo sipas Beqirit jo pa partnerët strategjikë.

 

“Ne si LDK po bëjmë përpjekje që të harmonizojmë qëndrimet që të ketë kontakte me partnerët, pastaj të vijë në kuvend dhe jo për shkak se do të na thonin të tjerët se LDK ja nuk po e përkrah ushtrinë. Sepse konsiderojmë se kemi nevojë për ushtri, po ashtu është e pamohueshme se ne kemi nevojë për miq dhe partnerë strategjik. Le ta harron kushdo që mendon se Kosova mund të zhvillohet pa miq, pa përkrahje pa partnerë strategjik, këtë e bëjnë dhe shtetet më të zhvilluara, e lere më Kosova”, tha Beqiri.

Ndryshe ditë më parë, presidenti i vendit Hashim Thaçi, i dorëzoi kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, Projektligjin, i cili mundëson transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Një ditë më vonë, Kryesia e Kuvendit në një mbledhje të mbajtur, ka proceduar këtë Projektligj në Qeverinë e Kosovës për të pritur pastaj kthimin e tij në kuvend për të miratuar. E tërë kjo ka hasur në kundërshtim të partnerëve strategjik të Kosovës si NATO dhe SHBA, të cilët e kanë cilësuar këtë si një veprim të njëanshëm të institucioneve të Kosovës, duke pohuar se transformimi i FSK-së duhet të bëhet me ndryshimet kushtetuese.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme