Google ADS

Pozita dhe opozita s’po arrijnë “ta korrigjojnë” Thaçin

08:11 | 28 Gusht 2018
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur iniciativën për korrigjim të kufijve, por partitë opozitare s’po arrijnë të koordinohen ta parandalojnë këtë nismë të të parit të shtetit.

As partitë në pushtet nuk po e përkrahin idenë e Thaçit, shkruaan sot gazeta “Zëri”.

Tri subjektet opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, po e kundërshtojnë presidentin Hashim Thaçi si kryenegociator në dialogun me Serbinë, si dhe idenë e tij për korrigjim të kufijve. Opozitarët edhe më tutje nuk kanë një strategji se si ta ndalin Thaçin në këtë proces, madje ata kanë qëndrime të ndryshme. LDK-ja thotë se nuk do ta lejojë Thaçin të bëjë “pazare” me territorin e Kosovës, por nuk tregon se si do ta ndalojë, Vetëvendosja thotë se protestat janë opsion për ta ndalur të parin e shtetit, kurse PSD-ja kërkon që të përgatitet platforma për dialogun para se të vazhdohet me fazën finale.

E vetmja gjë për të cilën janë pajtuar deri më tani opozitarët është thirrja e një seance të jashtëzakonshme për dialogun para datës 7 shtator, kur edhe është takimi i radhës ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiqit. Në këtë seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, në të cilën konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pandashëm e se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës.

Edhe partnerët e koalicionit qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, e kundërshtojnë idenë e korrigjimit të kufijve duke e vlerësuar si të rrezikshme për rajonin. Ndërsa analistët politikë thonë se nëse kundërshtimi nuk bëhet me kohë dhe nëse nuk arrihet një gjithëpërfshirje në dialog, atëherë marrëveshja finale me Serbinë mund ta ketë fatin e njëjtë me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, e cila u kundërshtua një kohë të gjatë, por në fund u ratifikua.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme