Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Ajet Potera përmes një statusi në rrjetin social Facebook i ka falënderuar të gjitha ata që i’a besuan kandidimin për kryetar të Podujevës dhe ka treguar prioritetet e Lëvizjes Vetëvendosje që ka për këtë komunë, shkruan arbresh.info
Ai ka thënë se prioritet i tij do të jetë një qeverisje transparente në përputhje me ligjet dhe normat juridike, Potere gjithashtu ka treguar edhe prioritetet që ka për fushën e arsimit, bujqësisë, zhvillimit, kulturës etj.
“Të nderuar qytetarë të Llapi e Gallapit. Ne mund t`i bëjmë këto të gjitha, duke u involvuar, sinqerisht e seriozisht; në mposhtjen e letargjisë, në mënjanimin e faktorëve stagnues, në eliminimin e shkaqeve të mossuksesit; në orientimin e drejtë të resurseve njerëzore e pasurore, duke krijuar hapësirën e duhur profesionalizmit, duke ofruar atraktivitet për përkushtimin e talentit, njohurive e mundësive” ka thënë Potera.
Më posht mund ta lexoni statusin e tij të plotë
Të nderuar qytetarë të Llapit e Gallapit. Shpreh kënaqësinë time që kam nderin të komunikoj me ju si përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje, si bashkëqytetar në mesin tuaj, që jetoj e përjetoj kohën dhe hallet, gëzimet dhe brengat, sukseset dhe dështimet; që ndërtoj ëndrrat dhe ambiciet bashkë me ju.
Ne duam që Alternativa Qeverisëse e Lëvizjes Vetëvendosje, në Besianë, do të ndërtohet bashkërisht me ju, në përputhje të plotë me nevojat dhe interesat e Komunës dhe qytetarëve, në përputhje me kapacitetet dhe resurset, në përputhje me ligjet, normat juridike, shoqërore e morale; në përputhje me vlerat e mirëfillta material e shpirtërore, në përputhje me synimet që kemi për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë. Për t`i sendërtuar këto do jemi bashkë në përkushtimin tonë për ndërtimin e një jete të dinjitetshme, për zhvillim dhe begatim nga puna jonë, nga djersa jonë, nga toka jonë; për njeriun tonë të shumëvuajtur, për perspektivën e tij, për mundësi të barabarta për të gjithë, për ta sfiduar të keqen, për ta mposhtur atë, njëherë e mirë. Për t`i realizuar këto do bëjmë ndryshimin.
Ndryshimin në qasjen ndaj problemeve, sfidave; ndryshimin në raportet e pushtetin komunal me qytetarin, ndryshimin në kahjet e rrugëtimit të gjithëmbarshëm për të arritur qëllimin e përbashkët për një jetë dinjitoze të qytetarit të lirë, qytetarit të respektuar e të vlerësuar, të lartësimit meritor të vlerës njerëzore. Do jemi bashkë në këtë rrugëtim, do jemi bashkë në planifikimin dhe realizimin e prioriteteve tona, të sotme dhe afatgjata, do jemi bashkë në denoncimin dhe përballjen me negativitetin në marrëdhëniet shoqërore dhe nivelet shtetërore. Prandaj t`i demaskojmë të gjitha dukuritë negative që na rëndojnë jetën, që injorojnë qenien tonë, të drejtat tona, që bien ndesh me ligjin. Të bëhen transparente të gjitha shkeljet dhe të jemi llogaridhënës.
Të lajmërojmë të gjitha parregullsitë që kemi parë deri tani, por gjithsesi edhe ato që do të ndodhin në të ardhmen, të bëhemi gardian i vendit tonë. Shkeljet në administrate, në raport me qytetarët, Shkeljet në arsim nga Drejtoria e Arsimit dhe personeli në shkolla, Shkeljet në shëndetësi nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe personeli shëndetësor në spitale, Shkeljet në Drejtorinë e Bujqësisë, në ndarjen e subvencioneve, Shkeljet në gjykata, në urbanizëm, në punë-kryerje të projekteve nga buxheti publik, Shkeljet në ndarjen e prioriteteve infrastrukturore, në prokurimin publik, gjatë tenderimit.
Të bëhen transparente të gjitha fenomenet e keqpërdorimit apo korrupsionit, nepotizmit apo klientelizmit, etj. Gjithashtu të afirmojmë të gjitha punët e mira të kryera nga gjithë qytetarët e personat juridik, duke shprehur, në këtë mënyrë, mirënjohjen tonë ndaj tyre. Të nderuar qytetarë të Llapi e Gallapit. Ne mund t`i bëjmë këto të gjitha, duke u involvuar, sinqerisht e seriozisht; në mposhtjen e letargjisë, në mënjanimin e faktorëve stagnues, në eliminimin e shkaqeve të mossuksesit; në orientimin e drejtë të resurseve njerëzore e pasurore, duke krijuar hapësirën e duhur profesionalizmit, duke ofruar atraktivitet për përkushtimin e talentit, njohurive e mundësive. Kjo është detyrë e qeverisjes, e atyre që marrin besimin tuaj, e atyre që ngarkohen me përgjegjësinë për të udhëhequr, për t`i menaxhuar mundësitë, nevojat, kërkesat, prioritetet e komunës dhe qytetarëve, për të qenë në shërbim të tyre. Do të jemi afër jush në çdo kohë, do të bisedojmë, diskutojmë, dhe mundohemi të gjejmë zgjidhje për problemet, shqetësimet, ankesat, padrejtësitë me mënyra demokratike dhe në përputhje me ligjet, për të gjitha ato që janë në kompetencën dhe përgjegjësinë tonë.
Do ta trajtojmë çdo rast individualisht dhe në mënyrë të barabartë, vetëm mbi bazën e ligjit! Gatishmëria ime, për të qenë në shërbim të interesave qytetare, është e pamëdyshje, është e përhershme, është e çiltër, është përqasëse ndaj preokupimeve të bashkësisë dhe të secilit qytetar, veç e veç. Besoj dhe shpresoj se një gatishmëri e tillë mbretëron te secili prej jush, në individualitetin e secilit. Ta kanalizojmë këtë në kahjen e duhur dhe në mënyrën e duhur… Bashkë mundemi./arbresh.info/
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike
Sot diskutohet për transparencën parlamentare
Rama: Nis shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bi...