Potera: Do të jem ‘Shpend Ahmeti i Podujevës’

19:15 | 9 Nëntor 2017
M. A.

Ajet Potera, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryertar të Podujevës, ka thënë se qytetarët kanë treguar se duan ndryshim, duke shprehur bindjen se në balotazh ata do ta konfirmojnë ndryshimin.

Në Info Magazine të Klan Kosovës ai ka deklaruar se pret që të votohet nga elektorati i partive opozitare në Podujevë, por edhe nga një pjesë e elektoratit të LDK-së, ndërsa ka nënvizuar se bosht i planit të tij janë arsimi, shëndetësia dhe bujqësia.

“Është kandidaturë e sforcuar ajo e Agim Veliut, që kërkon mandatin e pesë në krye të Podujevës. Qytetari i saj e meriton ndryshimin dhe ne do t’ia japim atë. Për këtë jemi munduar që atij t’i tregojmë se qasja jonë do të jetë e ndryshme nga ajo e qeverisjes aktuale”.

“Jo vetëm subjektet tjera vec LDK-së, por edhe një pjesë e elektoratit të këtij subjekti do të votojë për mua. Ne kemi mjaft informacione që qytetari i Podujevës është gati për ndryshime, dhe do të na mbështesë ne”.

“Fokus të vecantë i kemi dhënë arsimit, bujqësisë dhe shëndetësisë. Ne mendojmë të rrisim subvencionet në arsim, duke përmirësuar kushtet për nxënësit dhe personelin arsimor. Në anën tjetër, shëndetësia në Podujevë nuk qëndron fare mirë. Qendrat e Mjekësisë Familjare tek ne janë në gjendje të keqe. Mund ta marrim modelin e Prishtinës për t’i ndrequr ato”.

“Natyrisht qytetarët duan që punët të bëhen mirë. Shpend Ahmeti e ka dëshmuar që kjo gjë mund të realizohet në Prishtinë. Ndaj edhe unë dua besimin e tyre që të jem Shpend Ahmeti i Podujevës”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme