Google ADS

Potenciali ekonomik i Kosovës prezantohet në Itali

22:22 | 12 Maj 2023
K.B

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, Ambasadën e Republikës së Kosovës në Itali dhe Agjencinë e Tregtisë dhe Investimeve të Italisë, ka organizuar prezantimin e potencialit ekonomik të Kosovës në Itali dhe mundësitë për bashkëpunim ekonomik.

#KosovaCountryPresentation u mbajt në selinë qendrore të Agjencisë së Tregtisë dhe Investimeve të Italisë në Romë – “ICE”, me ç’rast përfaqësuesit qeveritarë, ata të sektorit privat, asociacionet dhe bizneset prezantuan potencialin ekonomik dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Italisë.

Hapja e kësaj ngjarje u bë nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Liza Gashi, dhe nënsekretarja e Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë, Maria Tripodi.

Po ashtu, përmes një mesazhi këtë ngjarje e përshëndeti zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antoni Tajani. Përfaqësuesit nga të dyja qeveritë folën për të përbashkëtat e dy vendeve dhe për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik e tregtar.

Zëvendësministrja Gashi, në fjalën e saj, theksoi: “Kosova, me zhvillimin e saj të fundit, po bëhet gjithnjë e më e favorshme për investime në Evropën Juglindore, me popullsinë më të re në Evropë dhe një ekonomi me mundësi të rritjes së vazhdueshme.

Pozicioni ynë gjeografik bën që Kosova të jetë një vend i favorshëm për qëndrime afër, energji të rinovueshme, me një potencial për ta transformuar atë në një qendër transporti që lidh Lindjen dhe Perëndimin”.

Po ashtu, palët nga të dyja shtetet diskutuan për mundësitë e partneritetit ekonomik dypalësh në mes të Kosovës dhe Italisë. Përfaqësuesit e të dyja vendeve potencuan rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve miqësore në fushat me interes reciprok, veçanërisht sa i përket bashkëpunimit ekonomik e tregtar, dhe në fushën e teknologjisë së informacionit, me qëllim të zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të shkëlqyer që Kosova ka me Italinë.

Në përmbyllje të kësaj ngjarjeje, të pranishmëve iu drejtuan edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, znj.Lendita Haxhitasimi, dhe ambasadori i Republikës së Italisë në Kosovë, Antonello de Riu. Ata i falënderuan të pranishmit, duke i informuar në lidhje me forumin ekonomik që pritet të mbahet në Prishtinë.

Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga zëvendësministrja, Gashi, përbëhej nga përfaqësues të Presidencës, të Qeverisë, nga sektori privat, si dhe nga përfaqësues të Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës, nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës, Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe Shoqata e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës, si dhe Shoqata e Biznesmenëve dhe Zejtarëve – Esnaf në Prizren.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme