Qindra zjarrfikës po luftojnë me zjarret që kanë shpërthyer në jug të Portugalisë që kanë djegur mijëra hektarë tokë dhe kanë detyruar më shumë se 1.400 persona të evakuohen.
Zjarret e egra, për shuarjen e të cilave aktualisht janë angazhuar mbi 800 zjarrfikës, nisën të shtunën në komunën Odemira, në rajonin Allentezho, por që atëherë janë përhapur në jug drejt Allgarves, një prej destinacioneve kryesore turistike të Portugalisë.
Temperaturat e larta dhe erërat e forta kanë ndërlikuar përpjekjen për shuarjen e zjarreve që kanë shkatërruar rreth 6.700 hektarë tokë. Të hënën, në Odemira për shkak të tymit, qielli u bë i zi.
Kryetari i Odemirës, Helder Guerrerio, tha se situata është “kritike, e vështirë dhe e ndërlikuar”. Ndërkaq, komandanti i Mbrojtjes Civile, Jose Riberio, tha se “ka ende shumë punë” para se zjarret të vihen nën kontroll.
Nga 19 fshatra të vogla, katër prej të cilave janë destinacione turistike, banorët janë evakuuar si masë parandaluese. Autoritetet thanë po ashtu se disa rrugë janë bllokuar.
Shtetet në jug të Evropës, sikurse Portugalia, janë përballur me temperatura të larta gjatë kësaj vere, duke bërë që autoritetet të paralajmërojnë për rreziqe shëndetësore.
Shkencëtarët kanë thënë se valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta, më intensive dhe po shpërndahen gjatë sezonit për shkak të ndryshimeve klimatike.
Agjencia portugeze e motit, IMPA, tha të hënën se gjashtë qarqe të shtetit, përfshirë edhe kryeqytetin, Lisbonën, i ka vendosur në alarmin e kuq për shkak të nxehtësisë ekstreme.
Autoritetet kanë deklaruar se mbi 120 komuna në mbarë Portugalinë rrezikohen më së shumti nga zjarret e egra.
“Kushtet klimatike që do të përjetojmë në ditët në vijim nënkuptojnë se një zjarr i vogël mund të shndërrohet në zjarr të madh”, tha sekretarja shtetërore e Mbrojtjes Civile, Patricia Gaspar, gjatë një konference për media.
Edhe tri qarqe në veri të Portugalisë të martën janë vendosur në alarm të kuq, pasi temperaturat pritet të arrijnë deri në 41 gradë Celsius në qytetin verior, Kastello Branko.
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...