Porosia e kongresmenit amerikan për luftimin e korrupsionit në Kosovë

17:52 | 20 Nëntor 2017
M. A.

Kosova është përfituese e një granti prej 49 milionë dollarëve amerikanë, në kuadër të programit Sfidat e Mijëvjeçarit. Përmes tij, synohet të zhvillohet një program për përparim, rritje ekonomike dhe uljen e shkallës së varfërisë. Njëherësh, programi ka si qëllim luftimin e krimit dhe korrupsionit, rritjen e transparencës dhe nxitjen e investimeve.

Programi është nënshkruar në shtator, kurse lansimi zyrtarë është bërë të hënën në Prishtinë, në kuadër të konferencës për fondacionin e Mileniumit për Kosovën përmes së cilit zbatohet ai.

Aty ishin të pranishëm kongresisti i njohur amerikan, Eliot Engel dhe Zyrtari kryesor Operues i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) Jonathan Nash. Të dy zyrtarët amerikanë, kanë folur për Radion Evropa e Lirë, për rëndësinë e këtij programi.

Ata thanë se programi për Kosovën vihet në mbështetje të përpjekjeve të Qeverisë për t’i ulur shpenzimet e energjisë në ekonomitë familjare dhe bizneset, si dhe ka synim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.

Kongresisti Eliot Engel tha për Radion Evropa e Lirë se beteja për përfshirjen e Kosovës në këtë program ishte e gjatë dhe e vështirë, para së gjithash për shkak të qasjes, por edhe për faktin se Kosova nuk është vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, prej nga vijnë disa vlerësime.

Ky grant, ka nënvizuar ai, mbështetë Qeverinë, transparencën, luftën kundër korrupsionit dhe gjithçka tjetër me të cilën përballen demokracitë e reja.

“Kjo është mjaft e rëndësishme, ngase këtu po ndërtojmë një shoqëri të lirë. Duam të sigurohemi që ajo të jetë sa më e lirë dhe më e hapur, ku nuk ka korrupsion dhe zhvillime që mund ta dëmtojnë shoqërinë”, ka thënë Eliot Engel.

Ndërkohë, Jonathan Nash si zyrtari kryesor Operues i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit tha se po punohet në mbështetjen e reformave dhe lirive ekonomike. Me këtë program, sipas tij, njihet edhe përparimi i Kosovës gjatë këtyre viteve të fundit.

“Programi do të zgjasë katër vjet, por qëllimi ynë është që t’i mbështesim përpjekjet e Qeverisë për vendosjen e mekanizmave, kornizës dhe qasjes së qëndrueshme ndër vite”, tha Nash.

Ai shton se, kur është fjala për energjinë, ideja është që të ofrohet mundësi për sektorin privat si nga Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kompanitë rajonale që të investojnë, çka sipas tij, do të ndikonte edhe në hapjen e vende të reja të punës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme