Me rastin e festës së Krishtlindjes Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar besimtarët për këtë festë dhe ka thënë se kjo ditë e kthen të kaluarën për të kujtuar veprën e Zotit.
Më poshtë lexoni porosinë e plotë të Dodë Gjergjit:“Me pak fjalë, festa e Kërshëndellave na vë në dimensionin e “veprimit dhe pritjes”, që na mundëson të jemi të përgjegjshëm derisa kujtojmë dhe të lumtur derisa shpresojmë”.
“Është mirë që, gjatë vitit 2018, do ta shënojmë 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Ai pati guximin të bëjë kthesën e madhe për t’iu kthyer vetes dhe popullit vet; t’i bashkojë në një besëlidhje princërit, fiset dhe bujarët e kombit, për të mirën e përbashkët, për liri dhe për troje; dhe, pa marrë parasysh sfidat e shumta, arriti ta ruajë miqësinë me pjesën qytetëruese të botës. Këndej, lirisht mund të themi, që mbetet prijësi më i mirë i gjitha kohëve, që ka pasur populli ynë”, ka thënë ai në letrën e urimit të cilën mund ta lexoni më poshtë:
“Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën […] duke na e besuar neve fjalën e pajtimit.” (2 Kor 5, 19)Meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve, besimtarëve dhe besimtareve, njerëzve vullnetmirë, dhe gjithë popullit tim. Fort të dashur motra dhe vëllezër, festa e Kërshëndellave na kthen në të kaluarën për të kujtuar veprën e madhe që Zoti bëri për ne, kur nëpër Shpirtin Shenjt mishëroi Fjalën në kraharorin e Virgjërës Mari, e me korin e engjëjve na ftoi t’i japim lavdi Hyjit në qiell dhe të vihemi në shërbim të paqes mes njerëzve mbi tokë (khs. Lk 2,14). Ajo, njëkohësisht, na shpie në të ardhmen, sepse na nxit të shpresojmë në premtimin e madh që Krishti do të vijë përsëri, për ta përtërirë botën. Kjo do të thotë se, në njërën anë, i gëzohemi veprës së Zotit në historinë e botës dhe të jetës sonë, e në anën tjetër, e presim përsosmërinë në amshim.
Sa herë që ne festojmë, kremtojmë dhe celebrojmë Kërshëndellat, na këndellet shpirti nga mpirja e mëkati, na këndellet zemra nga trishtimi që ia shkaktojnë padrejtësitë e botës, po edhe këndellim kujtesën tonë nga harresa, sidomos nga ajo e qëllimshme. E gjithë kjo, na nxit për pendesë, për përvujtëri, për falje dhe pajtim. Mbi të gjitha, na fton për shenjtërim dhe na mundëson që në çdo njeri ta shohim vëllanë edhe motrën tonë që na do e që e duam.
Me pak fjalë, festa e Kërshëndellave na vë në dimensionin e “veprimit dhe pritjes”, që na mundëson të jemi të përgjegjshëm derisa kujtojmë dhe të lumtur derisa shpresojmë.Nën dritën e kësaj feje, të parët tanë fituan një dëshmi të mirë dhe arritën të bëhen dritë e pashuar në terrin historik që kaluam (khs. Heb 1,1-2). Nën rrezet e kësaj drite ata arritën ta shihnin rrugën që përshkuan, të na i ndriçojnë shtigjet nëpër të cilat duhet të kalojmë dhe rreziqet nga të cilat duhet të ruhemi. Tani, mbetet përgjegjësia jonë, që këto gjurmë t’i bëjmë të dukshme për pasardhësit tanë.
Vëllezër e motra,ne, të bijtë dhe të bijat e popullit tonë, kemi shumë të mira që na mundësojnë të bëjmë të bukur dhe të dobishme kohën tonë, kemi lirinë që mund ta bëjmë të frytshme, kemi paqen që mund ta bëjmë vepruese, kemi përparimin që mund ta bëjmë të dobishëm, kemi shtetin që mund ta bëjmë funksional, kemi mbështetjen e miqve, të cilën s’guxojmë ta humbim kurrë. Kemi edhe shumë të mira të tjera me të cilat mund ta bëjmë kohën tonë të shkëlqejë. Por, e mira më e madhe që na është dhuruar në kohën tonë është Shenjtërimi i Nënë Terezës. Ajo do të mbetet për gjitha kohët burim i pashtershëm frymëzimi, shembulli më i mirë i përmbushjes së dashurisë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit, mësuesja më e mirë e bashkëjetesës mes feve të ndryshme, modeli më i mirë që zbardh fytyrën dhe britma më e zëshme e ndërgjegjes sonë.
Me shumë dhimbje, duhet të themi që s’jemi në nivelin e këtyre të mirave, sepse s’po arrijmë t’i përshtatemi kohës që jetojmë, përgjegjësive që i kemi për njërit-tjetrin. E, aq më pak, të jemi në nivelin e kërkesave të dashurisë. Koha jonë vuan edhe nga unë dhe nga secili prej nesh. Por, më së shumti, ajo vuan nga ata që kanë më shumë përgjegjësi. Është e dhimbshme kur sheh se sa e përçarë është shoqëria politike në tërësi, sidomos të zgjedhurit e popullit dhe ata që i drejtojnë institucionet shtetërore. Ne presim prej tyre që të diskutojnë me njëri-tjetrin, të diskutojnë për ne. Kurse, ata mundohen të flasin me ne për njeri-tjetrin. Ne presim që të pajtohen për atë që është e mirë për ne. Kurse, ata mundohen të arsyetohen për mospajtimet e tyre. Ne të gjithë, do të donim t’i shihnim se si pendohen e kthehen, falin e pajtohen për të mirën tonë. Kurse, ata na tregojnë pse janë ndarë ose pse janë bashkuar, kush ka faj e kush ka gabuar, kush ka vjedhur e kush ka mashtruar. Sot, njeriun tonë e shqetëson mosfunksionimi i demokracisë, keqpërdorimi i pushtetit, promovimi i paudhësive, papërgjegjësia në kryerjen e detyrave, shpërndarja e pabarabartë e të mirave të përbashkëta, paaftësia institucionale për t’i luftuar dukuritë që e përbuzin dinjitetin tonë kolektiv, atë familjar ose personalitetin e individit. Duke qenë se kaq shumë ka marrë hov padrejtësia dhe urrejtja, shumëkujt i është zbehur dashuria dhe i është ftohur zemra (khs. Mt 24,12). Ndaj, lypset që sa më parë të rigjejmë: atë urti, me të cilën kremtonim faljen e gjaqeve, që të falim e të pajtohemi me njëri-tjetrin; atë forcë durimi me të cilën e përballuam dhunën, që ta durojmë njëri-tjetrin; atë gatishmëri sakrifikimi më të cilën fituam lirinë, që të mund t’ia respektojmë të drejtat e njëri-tjetrit; atë ndjenjë humane dhe shpirt bujarie, me të cilën e përballuam varfërinë, në mënyrë që të mos vuaj askush prej nesh për gjërat e domosdoshme.
Motra dhe vëllezër, Është mirë që, gjatë vitit 2018, do ta shënojmë 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Ai pati guximin të bëjë kthesën e madhe për t’iu kthyer vetes dhe popullit vet; t’i bashkojë në një besëlidhje princërit, fiset dhe bujarët e kombit, për të mirën e përbashkët, për liri dhe për troje; dhe, pa marrë parasysh sfidat e shumta, arriti ta ruajë miqësinë me pjesën qytetëruese të botës. Këndej, lirisht mund të themi, që mbetet prijësi më i mirë i gjitha kohëve, që ka pasur populli ynë. Me këtë rast, i ftoj të gjithë ata që prijnë ose synojnë të prijnë, që ta marrin shembullin e Tij të reflektimit, të guximit e të urtisë. Për ta rikthyer besimin e humbur, për të siguruar paqen politike e drejtësinë sociale dhe bashkëjetesën ndërfetare. E të mos hezitojnë ta ripërtërijnë miqësinë me kombet dhe vëllazërinë mes vete. Kemi nevojë për shërimin tonë shpirtëror, kulturor, shoqëror dhe politik, nëpërmjet një besëlidhjeje të re, në emër të dashurisë, të lirisë dhe të paqes që e gëzojmë. Me dashurinë ndaj Zotit, në emër të përgjegjësisë që ndiej për kohën tonë që po e jetojmë dhe për të afërmin me të cilët duhet ta bashkëndajmë këtë dhuratë, ju siguroj që s’do të pushojmë kurrë duke iu lutur Zotit tonë, Jezu Krishtit, që t’ju forcojë në qëndresë, në duresë dhe në dashuri.Uroj që paqja e Krishtit të depërtojë në zemrën e secilit prej jush, të mbretërojë në familjet tuaja dhe të lulëzojë gjithkund në vendin tonë, e kudo në botë. Për shumë mot Krishtlindja! Bekime e begati në Vitin e Ri 2018!Dodë Gjergji, ipeshkëv”,
Kurti për sulmin në Gjermani: Populli i Kosovës qëndron në s...
“Më ka kap sëmundja e Gjestit me ec nëpër dhomë”, Driloni nx...
Shkon në 5 numri i të vdekurve nga sulmi në tregun e Krishtl...
Policia parandalon kontrabandën, kap një kamion me mallra ng...
Prishtina synon ta mbyll ‘vjeshtën’ me fitore ndaj Malishevë...
Kurti sonte organizon pritje të posaçme për mërgatën