Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në ditën e rrëzimit të Qeverisë gjatë fjalimit e tij para deputetëve, u krenua me sukseset e sportit të Kosovës gjatë mandatit të tij qeverisës, shkruan arbresh.info. Por, duket se kandidatët për të pasuar Mustafën nuk e kanë sytë kah sporti, përkundër sukseseve të mëdha që u dëshmuan në arenën ndërkombëtare.
Kosova vitin e kaluar u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar si dhe në instancat më të larta të futbollit, FIFA dhe UEFA. Nuk mungoi as njohja nga shtëpia më e madhe e basketbollit në botë, FIBA.
Deri në ditën e zgjedhjeve (11 qershor) koalicionet e formuara dhe partitë politike, fare pak po merren me sport madje në gojën e pretendentëve për parlament, fare pak po dëgjohen premtime për investime në sport, sektor ky i lënë pas dore për vite të tëra.
Premtimet për investime të miliona eurove në stadiumet e futbollit nga kandidati për kryeministër i koalicionit LDK-AKR, Avdullah Hoti dhe përurimi i nisjes së punimeve për një pjesë të stadiumit ‘Përparim Thaqi’ në Prizren, janë dy ngjarjet e vetme ku në fushatën para zgjedhjeve u përmend sporti.
Tovërlani: Ose nuk kanë tru ose nuk u intereson sporti
‘Timonieri’ më i suksesshëm kosovar, Afrim Tovërlani, mendon se në këtë fushatë zgjedhore, nuk po i kushtohet aspak rëndësi sportit. “Ende nuk e kam dëgjuar askënd duke e përmendur sportin ani pse nuk jam duke i përcjellur aq shumë debatet”, thotë Afrim Tovërlani për Arbresh.info.
Ish-trajneri i Feronikelit, Prishtinës dhe Trepçës ’89 mendon se sporti duhet që të jetë prioritet sikurse ekonomia. “Nuk mund ta kuptojë se si nuk përmendet sporti nga askush. Ose nuk kanë tru, ose nuk u intereson sporti. Krahas ekonomisë, duhet të jetë prioritet edhe sporti”, shtoi trajneri i njohur si ‘Toki’
Ai në vazhdimësi ka patur oferta për t’iu bashkuar partive të ndryshme politike në vend, mirëpo nuk ka dashur që të përzihet në ujërat politike.
Statovci: Më mirë që nuk po premtojnë sepse edhe ashtu nuk i mbajnë premtimet
Edhe ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Faruk Statovci, është i dëshpëruar me qasjen e politikanëve ndaj sportit. “Nuk po ka premtime në këtë fushatë për sport, por më mirë që nuk po ka pasi që edhe ashtu, politikanët nuk i mbajnë premtime. Politikanët duhet që ta kenë parasysh se pa sport të fortë, nuk do të ketë as shtet të fortë. Pa investime në sport, shteti nuk shkon përpara. Dihet se sporti është ambasadori më i mirë i një shteti”, vlerësoi Faruk Statovci i cili ka bërë karrierë edhe ndërkombëtare.
Selmani: Investimet na gëzojnë, por…
Trajneri kosovar, Agron Selmani, mendon se çdo investim në sport, është investim në rini. “Çdo investim në infrastrukturë apo në përmirësimin e kushteve për punë profesionale në klube, patjetër se na gëzon. Ka premtime për investime në një stadium me parametra të UEFA-s në Ferizaj, nga vijë unë, por mbetet të shihet se a do të mbeten vetëm premtime. Çdo gjë do ta zbulojë koha. I gëzohemi çdo ideje edhe pse i kemi rezervat tona”, vlerësoi Agron Selmani.
Përkundër se nuk ka filluar ende zyrtarisht fushata zgjedhore, partitë politike kanë vizituar vende të ndryshme të Kosovës për të kërkuar mbështetjen e elektoratit për zgjedhjet e parakohshme nacionale të 11 qershorit. /Shpatmal Krasniqi/arbresh.info/
Hoti: Serbia po tenton ta bëjë një aneks të deklaratës për t...
Mevlan Shaba flet pas daljes nga Big Brother: Çdo gjë është ...
Kurti: Unë nuk mund të imponoj Asociacion të komunave në Rep...
“Ti më jep forcë, e megjithatë je dobësia ime”, ...
Dardanët e nisin ndeshjen me gol, shënon Muharrem Jashari
Zarf gri dhe eleminim, sonte pritet një ‘prime’ i zjarrtë në...