Pjesëtarët e xhandarmërisë serbe i nxorën demonstruesit dhe disa udhëheqës të opozitës nga ndërtesa e Radio-Televizionit të Serbisë (RTS), ku u futën gjatë protestës “një në pesë milionë” në Beograd dhe kërkuan që organizatorëve të protestës t’iu jepet hapësirë në televizionin publik.
Shefi i policisë së Beogradit, Millan Staniq, u kërkoi udhëheqësve të opozitës serbe që të largohen nga ndërtesa e RTS-it dhe tha se ka marrë urdhër nga ministri i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq, që t’i dëbojnë nga ndërtesa.
Stefanoviq iu drejtua publikut, duke thënë se tubimet janë të lejuara, “por jo duke dëmtuar pronën apo duke shkaktuar frikë”.
“Shtetit do t’i duhet të përgjigjet dhe secili që ka kryer dhunë në RTS do të përgjigjet. U bëj thirrje të gjithëve që kanë hyrë në RTS të shpërndahen në mënyrë të qetë. Ministria e Punëve të Brendshme dhe policia do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur gazetarët e RTS-it. I bëj thirrje Aleancës për Serbinë (v.j. bllokut opozitar) që të ndalojë dhunën dhe të gjithë ata që kanë hyrë, të largohen nga ndërtesa e RTS-it”, tha Stefanoviq, raporton Rel.
Një nga udhëheqësit e bllokut opozitar Aleanca për Serbinë, Boshko Obradoviq, i hodhi poshtë deklaratat e Stefanoviqit, duke thënë se nuk ka dhunë dhe se asgjë nuk bëhet kundër ligjit.
Protestat antiqeveritare “Një në pesë milionë” mbahen në Beograd çdo të shtunë qysh më 8 dhjetor të vitit të kaluar. Në ndërkohë, ato janë shtrirë edhe në qytete të tjera të Serbisë. Folësit në to përsërisin çdo javë kërkesën kryesore për dorëheqjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Beograd, 16 mars 2019
Moto e protestës “Një në pesë milionë” është nxjerrë nga komentet e Vuçiqit për protestat, i cili ka thënë se ai “nuk do të përmbushë asnjë kërkesë, edhe sikur të mblidhen pesë milionë vetë në rrugë”.
Protestuesit që përfshijnë figura publike, politikanë të opozitës, profesorë universitetesh e të tjerë, kërkojnë më shumë hapësirë në televizionin publik, pastaj zbulimin e urdhëruesve dhe kryesve të, siç thonë, sulmeve ndaj qytetarëve, gazetarëve, aktivistëve dhe politikanëve, si dhe publikimin e “planit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.
Muajin e kaluar, Freedom House – organizatë ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut në botë – ka publikuar raportin vjetor, në të cilin e ka degraduar Serbinë nga kategoria e vendeve të lira në vend pjesërisht të lirë.
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...
Kuvendi vlerësohet si institucioni më transparent dhe llogar...
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?
AUV në pritje të rezultateve për mandarinat e importuara nga...