Policia Rajonale e Ferizajt mban takim me drejtorët e shkollave

14:45 | 20 Shtator 2023
K.B

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj në bashkëpunim me drejtorinë e arsimit, ka mbajtur një takim me drejtorët e shkollave të komunës së Ferizajt.

Të pranishëm në këtë takim ishin drejtori i Drejtorisë së Arsimit Afrim Llabjani dhe 33 drejtorë të shkollave të mesme të larta e të ulta të komunës së Ferizajt.

Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, Majori Xhavit Xhokli para të pranishmëve tha se janë duke u mbajtur ligjërata në të gjitha shkollat e rajonit të Ferizajt me tema të ndryshme për vetëdijesimin e nxënësve në parandalim e dukurive negative.

Majori Xhokli i siguroi të pranishmit se policia rajonale do të vazhdojë do të shtojë aktivitetet e policisë, veç policëve me uniformë ka të angazhuar edhe pjesëtarë të policisë me rroba civile sipas planit ‘’ Siguria në shkolla’’ në parandalim të dukurive negative rreth dhe nëpër shkolla.

Në komunikatën për media thuhet se në këtë takim u vlerësua dhe u lavdërua puna e mirë e policisë për bashkëpunimin me drejtorët e shkollave në identifikimin dhe kapjen e personave që prishin rendin dhe qetësinë publike rreth dhe nëpër shkolla.

Takimi u përmbyll me disa rekomandime:

Të vazhdohet me ligjëratat e policisë nëpër shkolla me tema të ndryshme për dukuritë negative.

Të ketë patrullime më të shpeshta të policisë në afërsi të shkollave gjatë ndërrimeve .

Në koordinim me Drejtorinë e Arsimit, Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore, të kryhen kontrolle nga ana e policisë në shkolla.

Të kontrollohen lokalet në afërsi të shkollave nga ana e policisë dhe inspektorëve komunal.

Kësisoj, policia rajonale e Ferizajt do të organizojë takime me drejtorët e shkollave edhe në komunat tjera të rajonit të Ferizajt./Arbresh.info/

Të ngjashme