Policia porosit qytetarët: S’ka aryetime, nuk falim!

14:12 | 12 Gusht 2017
L G

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka marrë masa shtesë me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve të trafikut, të cilat kohët e fundit kanë shënuar ngritje.

Në një komunikatë për media thuhet se Policia e Kosovës ka krijuar Task-forcën përmes së cilës është shtuar prezenca e policisë në rrugë, duke aplikuar masën zero-tolerancë ndaj kundërvajtësve në trafik, krejt kjo me qëllim të uljes së numrit të aksidenteve.

Aplikimi i masës zero-tolerancë ndaj kundërvajtësve në trafik, sipas Policisë së Kosovës, ka shtuar numrin e shqiptimit të gjobave ku vetëm në 24 orët e fundit janë shqiptuar 2218 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë edhe për tejkalimin e shpejtësisë që është njëri prej shkaktarëve kyç të aksidenteve me pasoja fatale.

Policia e Kosovës zotohet se Task forca e formuar do të vazhdojë me angazhimet e saja në terren deri në arritjen e qëllimit dhe objektivave për përmirësimin e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve.

Sikurse edhe më parë, Policia e Kosovës vazhdon t’u bëjë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik e posaçërisht shoferëve të automjeteve, që të respektojnë shenjat e trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe shpejtësisë së lejuar, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojmë për një siguri më të madhe në trafik.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme