“Policia po punon intensivisht për të zbardhur vrasjen e Ivanoviqit”

21:34 | 23 Janar 2018
Arbresh.info

Sot janë bërë një javë që nga vrasja e liderit të Iniciativës Qytetare Serbe, Oliver Ivanoviq.

Ivanoviq u vra mëngjesin e së martës së kaluar para zyrës së tij në veri të Mitrovicës.

Vrasja është dënuar nga liderët e shtetit ndërsa menjëherë autoritetet e rendit kishin nisur hetimet për zbardhjen e krimit.

Po deri ku kanë shkuar hetimet përkitazi me këtë rast, Indeksonline ka kontaktuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Maxhuni ka deklaruar se hetuesit e Policisë së Kosovës nën autorizimin e Prokurorit të Shtetit janë duke punuar intensivisht për hetimin e kësaj vrasje.

“Jemi duke punuar për hetimin e kësaj vrasje me të gjitha kapacitetet që kemi në dispozicion”, ka thënë Maxhuni për Indeksonline.

Gjithashtu kreu i policisë kosovare ka shtuar se deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar për këtë vrasje.

Ndërsa portali Arbresh.info ka raportuar se vrasja e Oliver Ivanoviqit mund të jetë kryer nga grupi i Milan Radojçiqit, i cili ka raporte të mira me strukturat udhëheqëse të Serbisë.

Kështu kanë thënë burimet e Arbresh.info në lidhje me hetimet rreth vrasjes së liderit të iniciativës qytetare “Liri, Drejtësi, Demokraci”.

Sipas burimeve, vrasësi i Ivanoviqit kishte qëlluar disa herë mbi të ndërkohë që makina e tij “Opel” me të cilën ishte larguar dhe e cila ishte gjetur e djegur më pas, ishte parë e parkuar disa herë aty ku parkoheshin edhe veturat e Millan Radojçiqit dhe të grupit të tij.

Burimet thonë se dy ditë para vrasjes së Ivanoviqit, dy persona, identiteti i të cilëve nuk dihet, ishin në zyrën e Milanit.

Edhe bashkëshortja e Oliver Ivanoviqit kishte deklaruar se personi që vrau Oliverin mori urdhër nga Milan Radojçiq dhe grupi i tij.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme