Google ADS

Policia merr një parcelë që përdorej nga institucionet serbe në Mitrovicë të Veriut

14:47 | 29 Dhjetor 2023
E.K

Anëtarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut kanë miratuar propozimin për ndarjen e një parcele prej 27.400 metrash katrorë për Policinë e Kosovës, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Sipas informacioneve të REL,  në atë hapësirë janë të vendosura Ndërmarrja Publike “Standard”, Ndërmarrja Publike e Ujësjellësit dhe Autoriteti i Përkohshëm Komunal.

Të gjitha këto institucione punojnë sipas sistemit serb.

Udhëheqësi i partisë Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, shkroi në Facebook se në këtë parcelë ka edhe një sallë sportive.

Ndërkaq, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tha se vendimi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut është “i paligjshëm”.

Përmes një njoftimi, nga kjo parti thanë se vendimi u mor pa asnjë konsultim apo diskutim publik në të cilin do të duhej të merrnin pjesë qytetarët, duke shtuar se qëllimi i këtij vendimi është “përkeqësimi i situatës në terren dhe presioni ndaj popullatës serbe”.

“Për shkak të këtij vendimi, Lista Serbe do të kërkojë një takim urgjent me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, mbi të gjitha ambasadorët QUINT-t dhe Bashkimit Evropian dhe do të kërkojë prej tyre reagimin urgjent ndaj synimit të regjimit në Prishtinë për të shkaktuar tensione të reja dhe kërcënimit të paqes dhe sigurisë së qytetarëve tanë”, tha Lista Serbe.

Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut aktualisht përbëhet kryesisht nga këshilltarë nga komuniteti shqiptar, për shkak se serbët bojkotuan zgjedhjet lokale në veri që u mbajtën në prill. Po ashtu, kjo komunë me shumicë serbe udhëhiqet nga kryetari Erden Atiq, i cili vjen nga partia, Lëvizja Vetëvendosje, që udhëheq me Qeverinë e Kosovës.

Arsenijeviq e ka krahasuar këtë vendim të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut me “okupim” dhe ka paralajmëruar se do të ndjekë “të gjitha procedurat demokratike dhe ligjore për ta zhbërë këtë vendim të paligjshëm”.

Në fund të majit, në katër komunat në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – u rritën tensionet pasi kryetarët e rinj shqiptarë nisën punën. Një përshkallëzim i dhunës ndodhi në Zveçan, ku protestuesit u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Në protestën e 29 majit u lënduan dhjetëra ushtarë të KFOR-it.

Tensionet kulmuan më 24 shtator, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një polic. Gjatë përleshjeve që pasuan në Banjskë të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Komuniteti ndërkombëtar e dënoi ashpër sulmin dhe kërkoi që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kosova për sulmin e fajëson shtetin e Serbisë, por Beogradi mohon përfshirjen.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme