Policia mban aktivitetin “(Mos) ndikimi i postimeve në rrjete sociale në raportet hetimore policore”

09:20 | 24 Tetor 2024
K.B

Policia e stacionit në Shtime ka organizuar një aktivitet informues dhe edukues me grupin e të rinjëve nga ‘’Institucioni i Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP) me temë: ‘’ (Mos) ndikimi i postimeve në rrjete sociale në raportet hetimore policore”.

Siç thuhet në njoftimin nga policia, aktiviteti u u fokusua në analizimin e rolit që luajnë rrjetet sociale si TikTok, Facebook, Instagram dhe platforma të tjera në procesin hetimor të rasteve policore.

Gjatë vizitës në Stacionin Policor në Shtime, nxënësit diskutuan me policët dhe u informuan për mënyrën, se si postimet në rrjete sociale mund të ndikojnë në hetimet policore.

“Policët theksuan se rrjetet sociale shpesh shërbejnë si burime të rëndësishme për mbledhjen e informatave në hetime. Postimet mund të ofrojnë prova ose të ndihmojnë në zbardhjen e rasteve përmes videove, fotove, dhe komenteve të ndara nga përdoruesit. Ndërsa veçuan se rreziqet e dezinformatave: postimet e rreme, ose të pavërtetuara në platformat si TikTok, Facebook dhe Instagram mund të krijojnë pengesa në hetime, duke devijuar drejtimin e tyre ose duke shpërndarë informata të pasakta, që pengojnë punën e policëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje, policët treguan edhe sfidat ligjore kur mbledhin informacione nga profilet personale në rrjete sociale për të mos shkelur të drejtat e qytetarëve.

“Në shumë raste, përdorimi i informacioneve nga rrjetet sociale mund të jetë i kufizuar nga rregullat e privatësisë dhe ligjet për mbrojtjen e të dhënave personale dhe çdo hetim bëhet me autorizim të prokurorit të shtetit. Ndërsa u përmendën disa shembuj ku postimet në rrjetet sociale kanë kontribuar në zgjidhjen e rasteve kriminale, si për shembull për identifikimin e personave të dyshuar ose për mbledhjen e dëshmive të nevojshme për ndjekjen ligjore”, thuhet tuje në njoftim./Arbresh.info/

Të ngjashme