Policia jep detaje për gjendjen në veri

22:00 | 26 Maj 2023
K.B

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas incidenteve të sotme në veri të vendit, tash situata është e qetë.

Ashtu siç është bërë e ditur përmes njoftimeve zyrtare, sot Policia e Kosovës, sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, ka asistuar kryetarët e komunave veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare komunale.

Sipas tyre, qëllimi primar ishte asistimi dhe ofrimi i sigurisë ndaj kryetarëve, sigurinë dhe lëvizjes së lirë të të gjithë personave.

Policia bëri të ditur se, ata kanë komunikuar me protestuesit disa herë ku kërkuan lirimin e hyrjes së kryetarëve në objekte dhe të mos cenojnë të drejtat legjitime të tyre.

“Kërkesat e ligjshme të zyrtarëve policorë nuk janë përfillur, persona të caktuar brenda turmës në Zveqan kanë shfaqur dhunë, kanë hedhur mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare”, thuhet në njoftimin e policisë

“Me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale. Kryetarët e komunave pas veprimeve policore, kanë hyrë në objektet komunale, në vendet e tyre të punës”, njofton policia.

Tutje, policia ka bërë të ditur se si pasojë e sulmeve, pesë zyrtarë policorë kanë mbetur të lënduar, janë dëmtuar katër automjete zyrtare, disa vetura civile e të gazetarëve si dhe tri vetura të EULEX-it.

“Po ashtu në disa raste në lokacione të ndryshme janë dëgjuar të shtëna me armë, për të cilat po kryhen hetime në bashkëpunim me organet e drejtësisë”, bëri të ditur policia.

Më tej, bëhet e ditur se policia ka reaguar edhe disa mjete të rënda transportuese që bllokuan rrugë të ndryshme, ndërsa janë angazhuar edhe njësitet e saja për hetime dhe veprime të mëtejme.

“Sikurse në çdo rast, hetimet dhe veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, për rastin e cilësuar si “Cenim i Rendit Kushtetues & Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm & Dëmtim Asgjësim i Pasurisë”, thuhet në njoftim./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme