Google ADS

Policia jep detaje për dy grabitjet në Pejë

20:26 | 4 Shkurt 2019
Arbresh.info

Policia e Pejës ka dhënë detaje rreth dy rasteve të grabitjes dhe tentim grabitjes që kanë ndodhur sot pasdite në Pejë.

Sipas zëdhënësit të Policisë Rajonale të Pejës, Xhevat Ibraj, tha për KALLXO.com se rreth orës 17:55, Policia ka pranuar një informatë për një grabitje që ka ndodhur në filialin e “Western Unionit”.

“Rreth orës 17: 55 kemi pranuar informacion se në afërsi të semaforëve të Pejë në filialin e ‘Western Union’ është një grabitje e armatosur. Policia iu ka përgjigjur rastit dhe njësitë e tjera policore kanë kontaktuar me viktimën, punëtore, e cila ka deklaruar që një person i dyshuar ka hyrë në këtë filial, se ka qenë i mbështjellë me një shall të zi, me kapelë në kokë dhe i njëjti me armë të shkurtë i ka kërkuar asaj para. Sipas punëtores, diku rreth 4500 euro janë grabitur nga i dyshuari” tha ai.

Tutje, zëdhënësi i Policisë bëri të ditur se mendohet se i njëjti grabitës ka tentuar të grabisë është filialin e institucionit mikrofinanciar ‘lute Credit’.

“Rreth orës 18:00 prapë kemi pranuar informatë se është një grabitje tjetër në ‘lute credit’ në rrugën ‘Mbretëresha Teutë’. Sipas, përshkrimit të viktimës në rastin e dytë mund të jetë i njëjti person. Policia ende nuk ka identifikuar të dyshuarin dhe është në kërkim të tij. Njësitë relevante janë aktivizuar dhe jemi në kërkim të personit të dyshuar. Për të dy rastet është njoftuar edhe prokurori i shtetit dhe në bashkëpunim me prokurorin janë duke u marrë veprimet e mëtutjeshme” tha për KALLXO.com Xhevat Ibraj.

Sipas zëdhënësit, grabitësi në ‘Iute Credit” nuk ka arritur të marrë të holla por vetëm ka ikur.

Nga këto dy raste askush nuk është lënduar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme