Policia gjen dhe konfiskon armë zjarri dhe armë të ftohta në autobusët urban ku udhtarët ishin nxënës

09:20 | 16 Tetor 2024
E.G

Policia e Stacionit në Ferizaj dje nga ora 20:00 ka kontrolluar autobusin që qarkullon nga Ferizaj në drejtim të fshatrave Doganaj- Greme dhe Gaçkë.

Sipas njoftimit, zyrtarët policor me uniformë dhe ata me rroba civile kanë kontrolluar udhëtarët, me dyshimin se nxënësit e shkollave të mesme të larta bartin me vete mjete të dyshimta, të rrezikshme, si mjete të mprehta-thika, boksa hekuri e të tjera, shkruan Arbresh.info.

Gjatë kontrollimit të udhëtarëve, të cilët kanë qenë kryesisht me nxënës, në dyshemenë e autobusit janë gjetur : një armë zjarri, dy thika dhe një ‘’Box hekuri’’, të cilat nuk dihen se kujt i përkasin.

Policia bën të ditur se për të gjitha këto veprime është njoftuar prokurori i shtetit dhe me vendim të tij është iniciuar një rast për hetim ‘’ Mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armës’’.

“Kontrollimi i autobusëve urban do të  vazhdojë  edhe në ditët në vijim me qëllim parandalimin dhe luftimin e dukurive negative tek nxënësit.”, bën të ditur policia.

Mes të tjerash, policia bën thirrje te qytetarët që të lajmërojnë policinë në rast se kanë informacione rreth dukurive negative te nxënësit.

“Ndërsa ftojmë qytetarët për bashkëpunim, që nëse kanë informacione rreth dukurive negative tek nxënësit  të njoftojnë menjëherë stacionin më të afërt të policisë, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ’’ dhe në  numrat kujdestarë  të cilët janë 192 , 0290/326-250 dhe 0290/322-406.”, thuhet tutje./Arbresh.info/


Të ngjashme