Google ADS

Policia e Kosovës: Situata e sigurisë në vend është e qetë dhe stabile

15:49 | 4 Qershor 2018
Arbresh.info

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka vlerësuar se situata e sigurisë në vend është e qetë dhe stabile, e përcjellë nganjëherë me disa incidente të natyrave të ndryshme, por që është arritur rë menaxhohen nga institucionet relevante të sigurisë.

“Bazuar në mandatin e saj, Policia e Kosovës ushtron autorizimet dhe kompetencat e saja ligjore dhe kushtetuese, në shërbim të plotë ndaj qytetarëve, me qëllim të krijimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt, në funksion të garantimit të lëvizjes së lirë për të gjithë.

E drejtë themelore e çdo qytetari është të jetuarit dhe të vepruarit e lirë dhe pa frikë, pa dallim moshe, gjinie, race, përkatësie fetare apo etnike, e që është interes parësor i yni në përmbushjen dhe respektimin e plotë të tyre.

Vizioni i Policisë së Kosovës, veprimtarinë e vet policore e orienton drejt ofrimit të sigurisë, zbatimit të ligjit dhe parandalimit të krimit, gjithnjë me përkushtim në shërbim të qytetarëve për të promovuar ambient të qetë dhe të sigurt. Gjithashtu misioni ynë është të përmirësojmë cilësinë e shërbimit për qytetarët, duke iu ofruar kushte maksimale për mbrojtje të dinjitetit dhe të drejtave themelore të çdo individi.

Përmes luftimit të dukurive negative dhe të gjitha llojeve të krimit, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve profesionale, efektive, efikase, duke demonstruar sinqeritet, ndershmëri, transparencë dhe llogaridhënie, në përmbushjen e misionin tonë duke avancuar edhe më tej ngritjen e “besueshmërisë dhe kënaqshmërisë “ karshi publikut.

Bashkëpunimi ynë me komunitetin dhe bashkërendimi i aktiviteteve me institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë mbetet prioritet i yni i vazhdueshëm, i cili ndihmon në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe avancimin e partneritetit të Policisë së Kosovës me qytetarët”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës po ashtu vlerëson se ky angazhim reciprok i policisë me qytetarët e Kosovës dhe me akterët tjerë, do të ndikojë për një jetë pa frikë nga krimi, si dhe do të ndihmojë në luftën kundër kriminalitetit dhe parandalimit të të gjitha dukurive negative në shoqëri.

Po ashtu, përmes kësaj komunikate, Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët e Kosovës që përmes informimit dhe raportimit të rasteve kriminale, të ndihmojnë policinë në hetimin dhe zbardhjen sa më parë të rasteve kriminale.

Të ngjashme