Google ADS

Policia e Kosovës reagon pas shkrimeve për gjoja plagosjen e prefektit të Nishit në Kosovë

22:20 | 9 Shtator 2018
A. B.

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media në mbrëmjen e së dielës, nëpërmjet së cilës ka sqaruar spekulimet e sotme serbe për gjoja plagosjen e një zyrtari të Serbisë në Kosovë.

Sipas atyre që kanë prezantuar sot portalet në Serbi, fjala është për prefektin e Nishit Darko Bullatoviq, i cili në Kosovë ka qëndruar që nga e shtuna – e vizita e të cilit nuk dihet çfarë qëllimi ka pasur.

Fillimisht nga mjetet e informacionit u tha se ai ishte plagosur në Kosovë, pa u treguar e sqaruar asnjë rrethanë.

Policia e Kosovës në komunikatën sqaruese ka thënë se Bullatoviq nuk ka respektuar urdhrat e policisë dhe rregullat e kalimit nëpër pikë kufitare.

Për këto shkelje ai ishte gjobitur me dënimin 150 euro, të cilin Bullatoviq e ka paguar dhe pastaj ishte liruar.

Komunikata e policisë:

“Mbrëmë rreth orës 01:00 pas mesnate kryetari i Nishit në dalje të RKS ne pikëkalimin kufitar Merdare, ka tejkaluar kolonën në pritje. Zyrtarët policorë që kanë qenë në mbarëvajtje të rregullit të kolonës, të njëjtin e kanë ndaluar dhe ai ka refuzuar fillimisht të kthehet mbrapa. Pas kundërshtimit të sërishëm të tij për t’u kthyer në kolonë, zyrtarët policorë kanë intervenuar dhe e kanë prangosur të njëjtin pa e ditur identitetin e tij.

Sipas procedurave të parapara është njoftuar Prokurori i cili ka urdhëruar që i njëjti të dërgohet në gjykatë me procedurë të përshpejtuar. Atij i është shqiptuar dënimi prej 150 euro nga gjykata.

I njëjti ka bërë pagesën dhe është liruar. Nuk është raportuar ai të ketë pasur ndonjë lëndim. Rasti është trajtuar nga stacioni kompetent policor në Podujevë konform procedurave ligjore. Ndërsa të gjitha informacionet tjera duke përfshirë edhe ato në mediumin serb kurir.rs janë spekulime dhe nuk qëndrojnë.

Bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore, në funksion të zbatimit të ligjit Policia ndërmerr veprime operacionale në funksion të realizimit të objektivave të saj”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme