Policia e Kosovës pranon donacion nga OSBE-ja poligonin e njësisë me qen

23:44 | 27 Shtator 2023
E.G

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga menaxhmenti i PK-së, pranuan donacion poligonin e sapondërtuar për trajnimin e Njësisë me qen (K-9), e cila u dorëzua nga ambasadori i OSBE-së, misioni në Kosovë, Davenport.

Ceremoninë e pranimit të donacionit e nderuan me prezencën e tyre, ambasadori i Gjermanisë Rohde, përfaqësues nga BE-ja, ambasadës franceze si dhe përfaqësues të institucioneve vendore.

“Poligoni së bashku me pajisjet e specializuara për përdorimin e Njësisë K-9 është ndërtuar në kuadër të projektit “Mbështetje për forcimin e kapacitetit të Njësisë me qen (K-9) të PK-së, për zbulimin dhe konfiskimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe eksplozivëve”, i financuar nga Bashkimi Evropian, Gjermania, Franca dhe Norvegjia.”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Me këtë rast, Hoxha shprehu falënderim të veçantë për misionin e OSBE-së në Kosovë si dhe partnerët përkrahës financiar të projektit si: Bashkimi Evropian, ambasada e Gjermanisë, ambasada e Francës si dhe e Norvegjisë.

Ky poligon stërvitor do t’i shërbejë PK-së në avancimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve operacionale dhe taktike në luftimin e të gjitha akteve kriminale, e në veçanti luftimin e përdorimit ilegal të armëve të vogla dhe të lehta, me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët dhe vendin.

“Policia e Kosovës synon të jetë lider në rajon, në ngritje të kapaciteteve me Njësinë K9 si dhe ofrimin e trajnimeve për njësitë me qen edhe për agjensionet tjera në Kosovë si dhe në rajon me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe avancimit të kontributit të PK-së në sigurinë rajonale.”, njofton Policia.

Ambasadori i OSBE-së Misioni në Kosovë theksoi se me rëndësi jetike që të forcohen kapacitetet për zbulimin dhe konfiskimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe eksplozivëve të paligjshëm.

“Ky është prioritet i lartë për Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe për OSBE-në në tërë rajonin. Jam mirënjohës për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që OSBE-ja e ka me Policinë e Kosovës në këtë fushë, me mbështetje të Gjermanisë, Francës, Norvegjisë dhe BE-së. Është kënaqësi që bashkërisht i dorëzojmë PK-së Poligonin e ri dhe modern të trajnimit për Njësitë K9, duke shfrytëzuar potencialin e qenve të trajnuar mirë për të zbuluar dhe zmbrapsur tregtinë e paligjshme të AVL-ve.”, u shprej ambasadori Davenport.

Gjatë ceremonisë së donacionit, në poligon nga njësia me K9 u demonstrua edhe një ushtrim./Arbresh.info

Të ngjashme