Google ADS

Policia e Kosovës, pjesë e operacioneve dhe aktiviteteve në kuadër të ‘EMPACT’

16:19 | 24 Qershor 2024
E.G

Ndërmjet datave 3 dhe 9 qershor 2024, 40 vende të ndryshme nga mbarë bota, përfshirë përfaqësues nga EUROPOL, FRONTEX DHE INTERPOL, morën pjesë në ditët e përbashkëta të veprimit (EMPACT) kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Sipas njoftimit, Policia e Kosovës gjatë kësaj periudhe (3-9 qershor 2024) në kuadër të planit operativ të koduar me emrin “PORTA” përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Njerëz dhe në mbështetje të njësive tjera të specializuara, të kufirit dhe të drejtorive rajonale policore, ka ndërmarrë masat dhe janë realizuar veprime/aktivitete si në vijim:

o Operacione në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare për identifikim të fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit,

o Operacione të përbashkëta me inspektorë të ministrisë (MINT), ATK-së dhe inspektorë të punës në inspektimin/kontrollimin e lokaleve (musik live),

o Operacione të përbashkëta me inspektorë të MINT, ATK dhe inspektorë të punës në inspektimin/kontrollimin e qendrave të masazhit.

Nga këto operacione/aktivitete policore kanë rezultuar si në vijim:

• Inspektimi/kontrollimi i tridhjetë e nëntë (39) lokaleve (musik live), ku në to janë hasur gjithsej (436), punëtorë/e; (309) femra dhe (127) meshkuj, prej tyre (204) shtetas të Republikës së Kosovës, ndërsa (232) shtetas të huaj; (216- të Shqipërisë, 11- të Serbisë , 3- të Ukrainës, 2-të Kolumbisë). Njëmbëdhjetë (11) lokale janë mbyllur për shkelje administrative.

• Inspektim i dyzet e gjashtë (46) qendrave të masazhit, ku në to janë hasur gjithsej: (145) punëtore, (114) femra dhe (31) meshkuj, nga to (111) shtetase të Republikës së Kosovës, ndërsa (34) shtetase të huaja (21- të Shqipërisë, 12-të Tajlandës, 01-të Serbisë ). Njëzet e gjashtë (26) qendra masazhi janë mbyllur për shkelje administrative.

• Inicimi i tri (3) rasteve për veprat penale “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës” dhe një kundërvajtje “marrje me prostitucion”,

• Arrestimi i tre (3) personave të dyshuar për veprën penale “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës” dhe dy (2) persona për kundërvajtje “marrje me prostitucion “

• Identifikimi i tetë (8) fëmijëve lëmosh kërkues, viktima të keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijës, të cilët janë detyruar nga prindërit të kërkojnë lëmoshë.

• Pesëdhjetë e gjashtë (56) persona iu janë referuar Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj për verifikim dhe trajtim sipas ligjit për të huaj.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të krimit dhe theks të veçantë po i kushton edhe avancimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën e pa kompromis ndaj krimeve që tejkalojnë kufijtë kombëtar duke qenë pjesë e operacioneve të përbashkëta rajonale dhe globale./Arbresh.info/

Të ngjashme