Google ADS

Policia e Kosovës në Rajonin e Pejës apelon për kujdes të shtuar në komunikacionin rrugor

17:31 | 3 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Policia e Kosovës ka apeluar për kujdes të shtuar në komunikacionin rrugor duke kërkuar nga drejtuesit e automjeteve që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor, t’u përshtaten kushteve atmosferike si dhe të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes në akset rrugore ku bora dhe ngricat janë të pranishme.

Njoftimi i plotë:

Siguria rrugore do të trajtohet gjithmonë me seriozitet nga Policia e Kosovës dhe njësitet e saj. Pakujdesia gjatë operimit me mjet në komunikacionin rrugor merr çdo vit me dhjetëra jetë njerëzish dhe shkakton dëme materiale të konsiderueshme.

Nisur nga rrethanat e ndryshimit të motit, si dhe vështirësitë që krijohen në qarkullimin e automjeteve si pasojë e mjegullës, shiut, erës, borës dhe ngricave Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore.

Të gjitha akset rrugore do të jenë të mbuluara nga Njësitë Rajonale të Komunikacionit, të cilat do të ushtrojnë kontroll të vazhdueshme për pajisjen e automjeteve me goma dimërore, zinxhirë, në ato akse ku është i nevojshëm përdorimi i tyre, si dhe për respektimin e normave të shpejtësisë së lejuar dhe përshtatja e kushteve të rrugës, gjithashtu edhe ndërmarrjen e masave preventive ndaj shoferëve të cilët janë të obliguar për përdorimin e dritave për ndriçimin e rrugës dhe dritat e mjegullës në rastet e zvogëlimit të dukshmërisë së rrugës.

Policia e Kosovës kërkon nga drejtuesit e automjeteve që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor, t’u përshtaten kushteve atmosferike si dhe të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes në akset rrugore ku bora dhe ngricat janë të pranishme.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, Policia apelon tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.

Me angazhimet njësiteve policore dhe institucioneve tjera përgjegjëse, si dhe me një kujdes të pjesëmarrësve në komunikacion, besojmë që kjo sezone dimërore të kalohet me një numër më të vogël të aksidenteve./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme