Google ADS

Policia e Kosovës në dy raste të ndara parandalon dhe zbulon mallra të kontrabanduara

14:46 | 12 Shtator 2023
E.K

Njësiti Task Forcë i Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren me ç’rast ka parandaluar dhe ka zbuluar në dy raste të ndryshme mallra të kontrabanduara.

Në njoftimin e Policisë thuhet se në rastin e parë pas pranimit të informatave për lëvizje të dyshimta në brezin kufitar Serbi-Kosovë, njësiti Task Forcë ka ndërmarrë masa të nevojshme operativo-taktike, ku në zonën e Kamenicës është ndaluar automjeti Mercedes furgon me targa vendore, i cili është vërejtur duke hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, ku drejtues ishte personi R. M., 1988 mashkull kosovar.

Gjatë kontrollit në automjetin e tij i dyshuari kishte pasur të ngarkuara mallra që dyshohet të jenë të kontrabanduara.

Ndërsa, rasti i dytë ka ndodhur në rrugën Stublinē – Dobërqan, ku janë gjetur pajisje që kapin vlerën e 20 mijë eurove.

“Në rrugën Stublinē – Dobërqan automjeti Tauran, me targa serbe, i cili dyshohet se kishte hyrë në mënyrë ilegale në Republikën e Kosovës, në përpjekje për t’iu shmangur kontrollit të njësitit Task Forcë dhe duke mos iu bindur urdhrave të Policisë, përveç që ka rrezikuar zyrtarët policorë”.

“I njëjti gjatë vozitjes humb kontrollin mbi automjet duke dalë nga rruga. Gjatë kontrollit është vërejtur se i dyshuari me iniciale F. M. mashkull, shtetas i Serbisë, në automjet kishte pasur të ngarkuara pajisje të ndryshme të kontrabanduara, ku vlera e përafërt e tregut arrin shifrën rreth 20.000 euro”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se lidhur me rastet të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kujdestar , malli dërgohet në terminalin doganor për procedura të mëtutjeshme që parashihen për raste të tilla./Arbresh.info/

Të ngjashme