Nëpërmjet komunikimit, në shërbim dhe mbrojtje të qytetarëve!
Ky është slogani i fushatës për promovimin e punës së Policisë së Kosovës në komunat me shumicë serbe në veri, e cila filloi më 13 nëntor në Mitrovicën e Veriut.
Policia e Kosovës tha se u ka shpërndarë qytetarëve fletëpalosje informuese dhe se ata janë shprehur “të kënaqur me punën e policisë”.
Por, disa qytetarë nga veriu i Kosovës, mohojnë se janë të kënaqur me punën e policisë dhe theksojnë se “nuk kanë besim”.
Miodrag Milliqeviq, nga organizata joqeveritare Aktiv në Mitrovicë të Veriut, thotë se “injorimi i realitetit nga ana e policisë, tregon se sa e keqe është situata në terren”.
“Ankesat e shumta nga qytetarët duhet të jenë zile zgjimi për policinë, por edhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës”, thotë Milliqeviq.
Përndryshe, fushata e Policisë së Kosovës vjen pas pohimeve gjithnjë e më të shpeshta të qytetarëve dhe aktivistëve në veri, se policia “shkel të drejtat e njeriut” dhe, madje, ka edhe raste të “përdorimit të tepruar të forcës”.
Në fund të tetorit, dy policë të Kosovës u suspenduan me propozim të Inspektoratit Policor, për shkak të dyshimit se, më 26 tetor, kanë keqtrajtuar qytetarin e Mitrovicës së Veriut, Millosh Subotiq.
Për shkak të atij rasti, një grup i organizatave joqeveritare e ndërpreu bashkëpunimin me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, i cili mbikëqyr punën e Policisë në Kosovë.
Grupi u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare dhe misioneve diplomatike që ta adresojnë problemin e sjelljes së policisë në komunat në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe.
Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, Policia e Kosovës thotë se fushata për promovimin e punës së saj do të vazhdojë edhe në ditët në vijim në të gjitha komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Qëllimi i saj thuhet se është “ndërtimi i besimit”.
Besim “vetëm nëse kthehen tanët”
Suzana nga Leposaviqi thotë se kjo nuk është hera e parë që Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve për bashkëpunim dhe besim, por thekson se situata në terren është ndryshe.
“E kanë tepruar. Policia speciale të kontrollon gjatë gjithë kohës në rrugë. Nuk mund të ndalosh askund”, thotë ajo.
Zorani nga Leposaviqi thotë se nuk ka bashkëpunim mes Policisë së Kosovës dhe qytetarëve dhe se këta të fundit, shpeshherë, ndihen “të kërcënuar” nga vetë policia.
“Ne nuk jemi mendjelehtë, e dimë se çfarë është ligji, por duhet të na trajtojnë pak më ndryshe”, thotë ai.
Për të ndryshuar situata, Zorani thotë se është e nevojshme që në mesin e policëve në veri të Kosovës, të ketë më shumë nga komuniteti serb.
“Le të vijnë njerëzit tanë, të punojnë njerëz që janë nga ky vend, që e njohin popullin dhe mentalitetin. Është e gjitha psikologji – në njëfarë mënyre”, thotë ai.
Edhe Suzana thotë se besimi në Policinë e Kosovës mund të kthehet vetëm nëse pjesëtarët e komunitetit serb kthehen në radhët e saj.
“Ashtu siç ishte më parë… Le të kthehen edhe gjyqtarët tanë. Atëherë, mund të kemi më shumë besim”, thotë ajo.
Mbi 500 policë nga radhët e komunitetit serb në veri të Kosovës dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, në kuadër të tërheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave serbe të makinave.
Në atë kohë, dorëheqje dhanë edhe punonjësit e drejtësisë dhe të administratës lokale.
Ndërkohë, në mes të shtatorit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkoi kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, por, një gjë e tillë, sipas deklaratave të autoriteteve të Kosovës, nuk është e mundur kur bëhet fjalë për policët.
“Ne i kemi pritur ata zyrtarë rreth 30 ditë për t’i rishikuar potencialisht vendimet e tyre. Kjo nuk ka ndodhur. Ne kemi vazhduar me punën tonë të përditshme. Kemi vazhduar me proceset e rekrutimit të pjesëtarëve [të rinj] të komunitetit serb”, tha ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Ai shpjegoi se kthimi i policëve që janë larguar nga pozitat e tyre, tani nuk është i mundur, pasi ligjet në fuqi nuk e lejojnë një gjë të tillë.
Policia e Kosovës: Po mundohemi të krijojmë besim
Nga Policia e Kosovës thonë se, aktualisht, në veri janë 68 policë nga komuniteti serb dhe se njësitë në terren janë multietnike.
Shtojnë se janë të kënaqur me reagimin e qytetarëve ndaj promovimit të punës së policisë në veri, por se janë të vetëdijshëm se ka edhe kritikë.
“Ne po mundohemi t’ua bëjmë me dije qytetarëve se duhet të kenë besim në Policinë e Kosovës”, thotë Erduan Baliq, nga Policia e Kosovës e Rajonit të Veriut.
Ai thekson se policia është në shërbim të të gjithë qytetarëve në veri të Kosovës dhe se ligjet duhet të zbatohen kudo – pa përjashtim.
“Policia po relativizon pakënaqësitë e qytetarëve”
Milliqeviq, nga organizata joqeveritare Aktiv, thotë se besimi në Policinë e Kosovës është në nivel shumë të ulët dhe se këtë e ka treguar edhe hulumtimi i kësaj organizate “Analiza e trendeve”.
“Janë të shumta ankesat për punën dhe sjelljen e policisë, për trajtimin e komuniteteve pakicë, për sjelljet e pahijshme. Ky është realiteti dhe këtë na e thonë drejtpërdrejt qytetarët”, thotë ai.
Sipas tij, hulumtimi i sektorit joqeveritar duhet të jetë bazë për policinë nëse vërtet dëshiron t’i përmirësojë marrëdhëniet me qytetarët e veriut, e jo “t’i relativizojë” ankesat.
“Nëse duam të flasim realisht për rritjen e besimit, policia duhet t’i shikojë të gjitha aspektet e pakënaqësisë së qytetarëve dhe, në bashkëpunim me ta, të dalë me modalitete përgjithësisht të pranueshme”, thotë Milliqeviq.
Aktiv është një nga pesë organizatat e shoqërisë civile që, për shkak të sjelljes së policisë, e ndërpreu bashkëpunimin me EULEX-in deri në publikimin e raportit për procedurën hetimore në rastin e Millosh Subotiqit, qytetarit të Mitrovicës së Veriut, i cili tha se është rrahur nga policia.
Milliqeviq thotë se kanë vendosur të ndërmarrin një hap kaq radikal, sepse rasti i Subotiqit është “pika që ka mbushur gotën e pakënaqësive në tre vjetët e fundit”.
“Ne nuk kemi pasur reagim adekuat ndaj brutalitetit të policisë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare”, thotë ai.
Milliqeviq kujton se, dy vjet më parë, ai personalisht ka pësuar një formë të dhunës nga njësia speciale e Policisë së Kosovës. Ai thotë se Inspektorati Policor i Kosovës ia ka dorëzuar rastin Prokurorisë, por prej saj, deri më sot, nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Nëse të gjitha këto raste, përfshirë edhe timin, do të hetoheshin deri në fund, do të krijohej së paku një shkallë pak më e lartë besimi”, thotë ai.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka thënë se është në dijeni për ankesat e qytetarëve nga komuniteti serb në veri të Kosovës, lidhur me punën e policisë, dhe se është duke bashkëpunuar ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës.
Ajo ka thënë, po ashtu, se është duke bërë një fushatë për sensibilizimin e qytetarëve, që rastet t’i raportojnë në Inspektorat, nëse mendojnë se policia nuk i trajton siç duhet.
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale
Kurti: Synimi ynë është që edhe Kosova të marrë pjesë në Eur...
“Çfarëdo që vendosim tani do llogaritet si lojë”, Sara dhe D...
Policia me njoftim për disa gjoba në rajonin e Prishtinës