Google ADS

Policia e Kosovës katër muaj pa “zot shtëpie”, ekspertët e sigurisë: Qeveria e pakënaqur më kandidatet aktual

13:13 | 15 Janar 2023
A Z

Janë bërë më shumë se katër muaj që Policia e Kosovës ende nuk ka “zot” shtëpie.

Arbresh.info ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), për të kuptuar se deri ku ka shkuar procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për drejtor të policisë, dhe pse po zvarritet ky proces, mirëpo nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Është i papranueshëm fakti që akoma nuk është zgjedhur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kështu thotë ish- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, tashmë deputet i PDK-së, Rashit Qalaj.

Qalaj në një përgjigje për arbresh.info tha se nuk dihen arsyet se pse po ndodh kjo.

“Është i pa pranueshëm fakti që ende nuk është zgjedhur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë se Kosovës . Ende nuk dihet arsyeja pse nuk është duke ndodhur kjo pasi që Ministria e Punëve të Brendshme nuk po jep asnjë shpjegim për këtë”, u shpreh Qalaj.

Sipas deputetit të PDK-së, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka gjetur njeriun e përshtatshëm për drejtor policie.

“Unë mendoj që është duke u rreziku edhe siguria nacionale, sidomos situata që ishte në veri . Ndoshta, arsyeja është pasi që Lëvizja Vetëvendosje është duke kërkuar njeriun e përshtatshëm apo ndoshta këta që kanë konkurruar nuk janë të përshtatshëm me LVV”, pohoi Qalaj.

Për këtë temë ka folur edhe ish ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.

Edhe Hoxha mos përzgjedhjen e drejtorit të ri të policisë, e sheh si papërgjegjësi serioze institucionale.

“Mos përzgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se Kosovës si një nga akteret kryesorë të Sigurisë në vend edhe pas disa muajve nga dorëheqja e ish Drejtorit të Policisë, është papërgjegjësi serioze institucionale dhe me ndikim direkt në çështjet e sigurisë, sidomos ne veri te vendit”, u shpreh Hoxha për arbresh.info

Ai, mendon se emërimi i kreut të ri të Policisë së Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt, pasi udhëheqja e këtij institucioni me ushtrues detyre krijon një boshllëk të funksionimit normal në aspektin e sigurisë.

“ Emërimi i Drejtorit të ri të Policisë duhet të behet me urgjencë sepse udhëheqja e Policisë nga një Ushtrues Detyre, sidomos në specifikat e sigurisë që mbizotërojnë tash e disa muaj, e krijon një boshllëk të funksionimit normal operacional në aspektin e sigurisë”, përfundoi ai.

Shala: Ka informacione relevante që do të anulohet konkursi

Ndërsa, eksperti i sigurisë Drizan Shala, thotë se ka informacione relevante që do të anulohet konkursi, pasi Qeveria nuk është e kënaqur me kandidatët që kanë konkurruar.

“Ka informacione relevante që do të anulohet konkursi për arsye që ka tendencë që më çdo kusht të ndryshohet rezultati aktual i konkursit. Pra, qeveria nuk është e kënaqur më kandidatet aktual”, u shpreh Shala.

Shala, tutje shprehet se vetë fakti që ushtruesi i detyrës Fehmi Hoti, nuk ka marr pjesë në konkurs, tregon se përzgjedhja e drejtorit të ri nuk është në favorin e politikës.

“Përveç faktit që U.D aktuale nuk ka marr pjesë në konkurs tregon që komplet përzgjedhja nuk është në favorin e politikës aktuale të qeveris. Pozicioni UD reflekton në sistemin administrative dhe organizative të funksionimit të PK në aspektin horizontal dhe atij vertikal”, tha eksperti i sigurisë për arbresh.info

Ndryshe, janë bërë më shumë se katër muaj prej kur ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti ka hequr dorë prej pozitës së tij.

Dorëheqja e Mehmetit më 30 gusht të viti të kaluar erdhi pas skandalit me rastin e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë.

Dorëheqja e Mehmetit, sipas ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla kishte ardhur për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, pas rastit të fundit të dhunimit të 11-vjeçares më 27 gusht 2022, në një park të kryeqytetit.

Që nga ajo ditë, institucionin kryesor të sigurisë në vend e udhëheq ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë, Fehmi Hoti.

Përzgjedhja e tyre për fazën e intervistimit që ende nuk dihet kur do të nisë, do ta bëjë komisioni i themeluar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Një ndër kandidatët  për këtë pozitë është edhe serbja, Sllagjana Stojanoviq, shefe e administratës në rajonin e Mitrovicës.

Nga ana tjetër pozitën e kreut të këtij institucioni e synon edhe Gazmend Hoxha, Drejtor i Departamentit të Operacioneve, që përballë ka edhe drejtorin aktual të Teknikës Kriminalistike, Bahri Shala.

Përveç tyre pjesë e garës është edhe Fatos Haziri, ish-udhëheqës i Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Granit Fetahu, drejtor për Sigurimin e Objekteve dhe Personaliteteve.

Për krejt këtë akoma nuk ka ndonjë përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme se kur do të ndodh diçka e tillë. /arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme