Policia e Kosovës kap mbi 300 kg marihuanë në tri lokacione në Kosovë

15:56 | 26 Prill 2017
Arbresh.info

Policia e Kosovës ka arritur të kap mbi 300 kilogram drogë të llojit marihuanë në tri lokacione të ndryshme në rajonin e Gjakovës dhe Ferizajit.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një konference të jashtëzakonshme për media që sapo ka mbajtur, shkruan arbresh.info.

Reshat Murseli, kapiten ka thënë se hetimet janë zhvilluar në një periudhë prej tre muajsh në fshatin Krushë e Madhe të Gjakovës dhe në një fshat të Ferizajit.

Ai ka thënë se marihuana është kapur e fshehur në pako dërrasa dhe ishte përgatitur për eksport.

“Drejtoria e Trafikimit me Narkotikë, njësia në Ferizaj ka zhvilluar një hetim tremujor në bashkëpunim me Gjykatën Themelore në Ferizaj pastaj edhe në Gjakovë. Gjatë këtij zhvillimi janë përdorur masa të fshehta të hetimit. Më  25 prill 2017, pasdite kemi realizuar një plan operativ-taktik dhe kemi shtrirë operacionin në rajonin e Gjakovës,  gjegjësisht në fshatin Krushë e Madhe. Këtu janë gjetur tek një person disa pako dërrase me marihuanë që ishin përgatitur për eksport. Masa e kapur është 184 kilogram e 39 gram ndërkaq është arrestuar një person”.

Sipas Murselit, aksioni tjetër është zhvilluar sot në Ferizaj në dy lokacione të ndryshme ku janë kapur 128 kilogram substancë narkotike po ashtu të llojit marihuanë dhe në këtë rasti janë arrestuar dy persona.

“Sasia e substancës narkotike rezulton të jetë mbi 300 kilogram dhe dyshohet se ka të përfshirë edhe të tjerë nga Maqedonia dhe Shqipëria”, ka thënë ai.

Në konferencë u tha se dyshohet se origjina e marihuanës është nga Shqipëria ndërkaq destinacioni janë vendet e Evropës dhe Turqia.

Numri i përgjithshëm i të arrestuarve për këtë rast ka shkuar në nëntë.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka bërë të ditur në fund se aksioni po vazhdon dhe se pas dy aksioneve në Gjakovë e Ferizaj janë kapur edhe 20 kilogram të tjera para pak çastesh./Arbresh.info.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme