Policia e Kosovës ka përgatitur planin operativ për zgjedhjet e 14 shkurtit

15:43 | 11 Shkurt 2021
L G

Policia e Kosovës tashmë ka bërë gati planin e saj operativ për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen të dielën.

Për këtë çështje, sot në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës është mbajtur një takim zyrtar lidhur me angazhimin e policisë në zbatimin e planit operativ për ‘Zgjedhjet e parakohshme parlamentare’.

“Takimi është udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti, në të cilin kanë marrë pjesë menaxhmenti i lartë i PK-së: drejtorët e departamenteve, drejtorët e divizioneve dhe drejtorive rajonale, të cilët janë njoftuar lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin”, njofton policia, shkruan arbresh.info.

Drejtori Mehmeti, gjatë këtij takimi ka theksuar se përmes realizimit të planit operativ duhet të krijohet një ambient i sigurt dhe i qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës përmes mbajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

“Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, siç është filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës do të angazhojë një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda policisë, si dhe ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces.

Në këtë takim me të pranishmit, u diskutua edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit, andaj inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre./arbresh.info/

Raportoni;
Nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore.

Të ngjashme