Google ADS

Policia e Kosovës jep detaje lidhur me arrestimin e të dyshuarve për vrasjen e zyrtarëve të UNMIK-ut

14:00 | 5 Korrik 2017
L G

Policia e Kosovës ka dhënë detajet e saj rreth aksionit të sotëm policor, për arrestimin e dy personave rreth përfshirjes së tyre në vrasjen e dy zyrtarëve të UNMIK-ut në vitin 2004, si dhe tentim vrasjen e dy zyrtarëve tjerë të këtij misioni, raporton “Arbresh.info

“Sot, më 5 korrik 2017, është zhvilluar një operacion kërkimi dhe arrestimi si pjesë e hetimeve penale në vazhdim nga PSRK, ku janë ekzekutuar urdhra të dhënë nga një gjyqtar i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Operacioni është kryer nga Policia e EULEX-it dhe Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas këtij njoftimi dy persona janë arrestuar me urdhër të gjykatësit, ndërsa dy  persona të tjerë janë arrestuar nga Policia e Kosovës për posedim të paligjshëm të armëve.

Policia bën të ditur se një person tjetër pritet të ekstradohet nga një shtet i jashtëm dhe të arrestohet gjatë ditës në lidhje me të njëjtin rast.

“Rreth 35 zyrtarë policorë ndërkombëtarë dhe 100 zyrtarë policorë nga Kosova bënë kërkime në lokacione të ndryshme në lidhje me shtatë (7) të dyshuar pjesë e hetimeve penale në vazhdim e sipër”, raporton policia.

Këto hetime sipas tyre kanë të bëjnë me vrasjen e rëndë të dy (2) zyrtarëve të UNMIK-ut dhe me tentim vrasjen e rëndë të dy (2) zyrtarëve të tjerë të UNMIK-ut në vitin 2004.

Rasti është duke u hetuar dhe bashkërenduar nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Urdhrat për arrestimet dhe kërkimet janë dhënë nga një gjyqtar i Kosovës për procedurë paraprake./Arbresh.info

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme