Policia e Kosovës ka dështuar të respektojë urdhrin mbrojtës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, e cila konfirmojë se gruaja shtatzënë, viktima Hamide Magashi, e vrarë mbrëmë në QKUK, kishte urdhër mbrojtje që ishte në fuqi deri në muajin mars 2023, raporton arbresh.info.
Me këtë urdhër mbrojtje, ish-bashkëshortit nuk i lejohej t’i afrohet Hamide Magashi, e cila në natën kritike kishte dal për shëtitje në oborrin e QKUK-së, ku ishte vendosur për të pritur lindjen e fëmijës së saj.
Mirëpo, e ndjera nuk arriti të kthehej më në repartin e gjinekologjisë, pasi në oborrin e QKUK-së po e priste ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili, i cili e qëllon për vdekje.
Sipas njoftimit të gjykatës, urdhri për mbrojtje u ishte dorëzuar të gjitha palëve, edhe Stacionit Policor në Lipjan, i cili ishte urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës.
“Me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2023. Ky aktvendim i është dorëzuar palëve dhe atë palës përgjegjëse, mbrojtësit të tij, palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave, QPS –Lipjan si dhe Stacioni Policor në Lipjan i cili është urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës”, thuhet në njoftim.
Por, as ky urdhër nuk bëri punë që Hamide Magashi të t’i shpëtojë vdekjes nga duart mizore të ish-bashkëshortit, i cili menjëherë pas kryerjes së aktit makabër është arratisur dhe ende është në kërkim nga organet e rendit e ligjit.
Po ashtu sipas gjykatës, i dyshuari kishte aktakuzë për veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj tashmë viktimës Hamide Magashi,
“Me datë 10.08.2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën e evidentuar si: PP.II.nr,1066/2022, me të cilin ka akuzuar të pandehurin S.H. për veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj të dëmtuarës H.M”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Në mbrojtjen e jetës së Hamide Magashit nuk dështoi vetëm Stacioni Policor në Lipjan, por edhe Drejtoria e Departamentit të Operacioneve në Policinë e Kosovës, i cili udhëhiqet nga Gazmend Hoxha, i cili është kandidat potencial për drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Arbresh.info ka dërguar pyetje në adresë të Policisë së Kosovës për të kuptuar pse nuk ishte zbatuar urdhrin i gjykatës për mbrojtjen e 35 vjecares, por vetëm kanë konfirmuar se pyetjet janë dërguar në departamentin kompetent, por nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.
Prokuroria: Policia e Kosovës ka qenë kompetente për zbatimin e urdhrit mbrojtës
Ne anën tjetër Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se urdhri për urdhër mbrojtje i lëshuar nga gjykata, i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bazë të autorizimeve të saj i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit lidhur më këtë çështje penale.
AVONET: Policia dhe gjykata përgjegjës për vrasjen e Hamide Magashit
Fajin për vrasjen makabre të 35 vjeçares në oborrin e QKUK-së, organizata AVONET përveç Policisë së Kosovës ia hedh edhe gjykatës.
“Është tejet e shqetësuar me rastin e vrasjes makabre të shtatzënës nga Komuna e Lipjanit në Repartin e Gjinekologjisë në QKUK. Duke përcjellur me shqetësim të thellë këtë ngjarje tragjike, AVONET mbetet i shokuar me neglizhencën e institucioneve, ku vetëm gjatë këtij viti kemi pesë gra të vrara, të cilat tashmë kishin alarmuar të gjitha institucionet relevante për dhunën psiqike dhe fizike që po ndodhte ndaj tyre”, thuhet në reagimin e AVONET.
Sipas AVONET, duke qenë në dijeni Gjykata Themelore e Ferizajt se i njëjti ishte recidivist i veprave penale, gjykatësi, ka neglizhuar dhe ka vënë në rrezik jetën e tashmë viktimës, duke marr parasysh se ky gjykatës të njëjtin e ka dënuar me dënim me gjobë për armëmbajtje pa leje, duke pasur parasysh rrethanat dhe dashjen e kryesit të veprës penale.
Andaj, sipas kësaj organizate, Gjykata Themelore e Ferizajt ka treguar mungesë profesionalizmi çka bëri që tash S.H të kryente veprës penale të vrasjes me paramendim, duke pasur mundësi që të endet i lirë përkundër denoncimeve të vazhdueshme nga e ndjera.
Po ashtu edhe Policia e Kosovës është po aq përgjegjëse sipas AVONET, pasi ka dështuar, të zbatojë urdhrin për mbrojtjen e viktimës.
“Në këtë rast ka dështuar edhe Policia e Kosovës, e cila është përgjegjëse për sigurinë e viktimave të dhunës në familje dhe zbatimin të urdhrave për mbrojtje. Kërkojmë nga z. Faik Hoti, U.D Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës të merr masa urgjente ndaj Stacionit Polivor Lipjan, për mos-ofrimin e sigurisë së të ndjerës.
Kjo organizatë ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të merr masa urgjente ndaj Gjykatës Themelore të Ferizajt dhe gjykatësit të çështjes për neglizhencë, mosprofesionalizëm dhe mos efikasitet./arbresh.info/
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike