Policia e gatshme për arrestimin e të dyshuarit për vrasjen e Ivanoviq, pret urdhër nga Prokuroria

11:26 | 23 Janar 2018
Arbresh.info

Milan Radojcic dhe grupi i tij dyshohet se kanë kryer vrasjen e liderit të inciativës “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviq.

Kështu ka raportuar dje portali Arbresh.info duke u bazuar në burime të tij.

Sipas burimeve, vrasësi i Ivanoviq kishte qëlluar disa herë mbi të ndërkohë që makina e tij “Opel” me të cilën ishte larguar dhe e cila ishte gjetur e djegur më pas, ishte parë e parkuar disa herë aty ku parkoheshin edhe veturat e Millan Radojcic dhe të grupit të tij.

Burimet thonë se dy ditë para vrasjes së Ivanoviq, dy persona, identiteti i të cilëve nuk dihet, ishin në zyrën e Milanit.

Policia e Kosovës nuk ka dashur të flasë rreth kësaj çështjeje duke thënë se nuk ndërhynë në punën e Prokurorisë në asnjë element.

“Në asnjë element nuk presim të ndërhyjmë në punën e prokurorëve. Hetuesit policor punojnë nën autorizimin dhe çdo veprim vjen nga autorizimet e prokurorëve”, ka thënë Hoti në një pronocim të shkurtër për Arbresh.info.

I pyetur se a është  e gatshme Policia që të bëjë arrestimin e të dyshuarit, Hoti tha se Policia merr urdhra nga Prokuroria dhe se i zbaton ato.

Sipas burimeve të Arbresh.info edhe bashkëshortja e Oliver Ivanoviq kishte deklaruar se personi që vrau Oliverin mori urdhër nga Milan Radojcic dhe grupi i tij.

Po ashtu, thuhet se më 27 korrik të vitit 2017, kur kandidatura e Oliver Ivanoviq për kryetar të Mitrovicës Veriore ishte bërë zyrtare, Milan Radojcic kishte deklaruar se ai do t’i filloj kërcënimet karshi tij dhe se nëse nuk heq dorë, do ta vrasë atë.

Kjo pasi, Ivanoviq ishte i padëshiruar nga shteti serb pasi thuhej se nuk po bënte asgjë për të mirë te serbëve të Kosovës.

Ndërkaq, më 28 shtator të vitit 2017, automjeti privat i Ivanoviq ishte kallur si kërcënim direkt ndaj tij dhe kandidaturës së tij për kryetar të komunës së Mitrovicës Veriore, shkruan Arbresh.info.

Burimet po ashtu thonë se po më 28 shtator të vitit 2017, Oliver Ivanoviq kishte deklaruar se ‘situata kishte ndryshuar për të keq. Frika e njerëzve është e paparashikueshme. Këta njerëz nuk kanë frikë nga shqiptarët por nga serbët, të cilët vozisin automjete Jeep-a pa targa të regjistrimit”.

Ivanoviq kishte paralajmëruar ndër të tjera edhe mundësinë  e eskalimit të situatës në Mitrovicën e Veriut.

Ministri për Kosovën në Qeverinë Serbe, Marko Gjuriq kishte akuzuar Oliver Ivanoviqin gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovës duke thënë se ai ka bashkëpunim me autoritetet mbrojtëse të Kosovës.

Oliver Ivanoviq është vrarë më 16 janar të këtij viti rreth orës 8:00 derisa po hynte në selinë e partisë së tij.

Vrasja e tij ka shkaktuar reagime të shumë në Kosovë dhe jashtë saj.

Ai është varrosur në Beograd më 18 janar në kompleksin e varrezave “Novo Groblje”./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme