Polici i vrarë në veri, Sveçla: Sulmi po vazhdon akoma, njësitë policore po sulmohen me armë zjarri

13:45 | 24 Shtator 2023
K.B

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas sulmit në veri, ku një polic u vra dhe një tjetër mbeti i plagosur.

Ai tha se grupet kriminale të mirë organizuara nga Beogradi kanë sulmuar njësitë policore.

“Grupet kriminale të mirë organizuara dhe të dirigjuara nga Beogradi, pas bllokimit të urës me mjete të rënda dhe pamundësimit të qasjes në fshatit Bajnskë, kanë sulmuar në pritë njësitë policore, ku për pasojë rreshteri i policisë së rendit Afrim Bunjaku është vrarë, dhe dy të tjerë janë plagosur gjendja e të cilëve është stabile”, ka shkruar ai.

Ai tha se sulmi ka ardhur dhe po vazhdon akoma nga njësi profesionale, me një përbërje prej 30 personave.

“Sulmi ka ardhur dhe po vazhdon akoma nga njësi profesionale të përgatitura dhe me një përbërje prej mbi 30 personave, të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme.Burimi i sulmeve me armë zjarri është manastiri në Banjska të Zveçanit dhe përreth”, ka shkruar tuje ministri.

Tutje ai shkruan se njësitë policore janë aktivizuar në terren, ku kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri.

“Njësitë tona policore janë aktivizuar në terren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupet e organizuara dhe të armatosura rëndë”, tha ai.

Sveçla shprehi ngushëllimet më të sinqerta për familjen e policit të ndjerë.

“Një numër i tyre janë të barrikaduar brenda manastirit në Banjska edhe sipas deklarimeve zyrtare të Dioqezës Rashkë-Prizren. Këta terroristë janë të rrethuar nga njësitë policore dhe është koha e fundit që të dorëzohen. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Rreshterit Afrim Bunjaku dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Në këto momente të vështira qëndrojmë bashkë dhe fuqishëm pranë tyre”, ka përfunduar ai./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme