Ish-zyrtari i Policisë së Kosovës, Lulzim Gashi, ka deklaruar se nuk ka polic në uniformë që shkruan tiketë kundërvajtëse për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Një deklaratë të tillë, ai e ka dhënë me rastin e përgjigjes së pretendimeve të prokurorit Arian Gashi, i cili ka thënë se me rastin e shqiptimit të tiketave qytetarët nuk janë trajtuar barabartë.
Por, i akuzuari Gashi, ka thënë se kjo nuk qëndron pasi që ai është polici që ka shqiptuar tiketë ndaj një deputeti të Kuvendit të Kosovës.
“Nuk ka polic që e ka uniformën që e shkruan një tiketë ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës. Ndërsa, prokurori i shtetit e ka para vete një tiketë të tillë qe është në emër tim po e ka përpiluar Muhamet Buzhala dhe është fjala për tiketën e shqiptuar ndaj Visar Ymerit. Edhe deputet, edhe fshatar, për mu qytetarët janë njëjtë”, ka thënë ai.
Ndryshe, Lulzim Gashi, akuzohet se në cilësinë e zyrtarit policor e ka keqpërdorur pozitën zyrtare, pasi që dyshohet se dënimet për gjykatë, i kishte shndërruar në dënime me të holla, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë rast, të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, palët në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare.
I akuzuari Gashi ka thënë se ai ka kërkuar nga komisioni i brendshëm disiplinor të informohet se ku ka të drejtë polici të ndërhyjë e ku jo.
“Nuk ka pas një shkresë ku thuhet se polici ka të drejtë të ndërhyrje apo mos të ndërhyjë në tiketa. Aty shkruan që përpilimi i tiketë duhet të jetë i qartë për gjykatë”, ka deklaruar ai, duke njoftuar gjykatën se më nuk ushtron detyrën e policit.
Ndërkohë, prokurori i rastit, Arian Gashi, në fjalën e tij përfundimtare, ka kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Ai ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë argumentuar veprimet e përshkruara në dispozitivin e aktakuzës me anë të provave që gjenden në shkresa të lëndës e që janë administruar.
Ai ka thënë se fakti që i akuzuari ka kryer veprën penale vërtetohet edhe nga raporti i inspektimit.
Sipas tij, edhe mendimi përfundimtar i ekspertit ka rezultuar se nënshkrimet e mostrat e evidentuara në dëshminë 4 janë të shkruara nga i njëjti person, ndërsa një fletëparaqitje është pa konkludim.
“Kërkoj që t’i falet besimi kësaj ekspertize. Përtej dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale është vërtetuar edhe nga vet deklarata e të dyshuarit ku ka pranuar se ka bërë ndërhyrje dhe ka bërë me vetëdije të plotë”, ka thënë ai.
Sipas tij, elementi i dashjes është plotësuar duke pasur parasysh se këto vepra penale kryhen me dashje.
“Ai nuk ka pranuar kryerjen e veprës penale për t’i ikur përgjegjësisë. Ka pranuar se ka bërë ndërhyrje pasi procedura kundërvajtëse është më e gjatë dhe se u pengon personave në punë”, ka deklaruar ai.
Sipas prokurorit, polici nuk ka të drejtë të ndërhyjë, duke shtuar se po të ishte ashtu atëherë vet polici do të merrte rolin e gjykatës kundërvajtëse.
Ai ka kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor si dhe meqenëse ende i akuzuari ka detyrën e policit, ai ka kërkuar t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues me anë të së cilit do t’i ndalohej ushtrimi i funksioneve publike.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Osman Hoxha, ka thënë se prokuroria ka ngritur një aktakuzë të nxituar, të pabazuar e të paligjshme.
Sipas tij, prokuroria e ka dëgjuar të pandehurin dhe pyetur në mënyrë konkrete për një tiketë që sot nuk është objekt i akuzës.
“Në vend se të merr vendim sikurse për zyrtarët tjerë, ngrit aktakuzë ndaj Lulzim Gashit me pretendim se ka bo ndërhyrje. I mbrojturi im ka deklaru mbushjen e tiketës, hartimit, plotësimit, e tiketës 628, 577 dhe 574, por nuk ka pranuar ndërhyrjet që janë bërë në pjesën e fillimit ku shënon ligji, neni, paragrafi, gjoba, gjykata”, ka deklaruar avokati.
Sipas tij, nuk qëndron fakti që klienti i tij e ka pranuar një ndërhyrje të tillë.
“Në dy tiketa për të cilat ka mbështetje ligjore se janë destinuar për gjykatë, janë pranuar sepse do të bëhej shkelje po të shkonin në gjykatë. Për këto dy tiketa ndodhet në përgjegjësi se ka vepru sipas ligjit. Gabim ka bo prokuroria që e ka akuzu klientin pa e dëgjuar. Për një tiketë ka shku dhe o konsultu dhe detyrimisht ka pas ta ndërroj këtë tiketë me urdhër të eprorit”, ka thënë ai.
Avokati Hoxha ka deklaruar se në përputhje me ligjin kishin bërë edhe një ekspertizë.
“Në përputhje me ligjin kemi bërë ekspertizën ne, nga e cila ka rezultuar se ndërhyrjet në tiketë në numër, në nen, nuk i përkasin të pandehurit Lulzim Gashi. Me propozim të prokurorit është aprovuar ekspertiza nga Agjencia Forenzike qe flet për nënshkrim e tekst, por nuk shtjellon objektin e akuzës”, ka thënë ai.
Ai ka kërkuar lirimin e të akuzuarit në mungesë të provave, e në veçanti provat materiale.
Paraprakisht, para dhënies së fjalës përfundimtare është vazhduar me prezantimin e provave.
Lidhur me memorandumin për vlerësimin e menaxhimit të tiketave nga IPK, mbrojtja ka deklaruar se e kanë ofruar për provë që të vërtetojnë se çështja e ndërhyrjeve në rast të caktuar dhe specifik nuk është e paraparë me asnjë dokument ligjor me të cilin do ta përcaktonte mënyrën e veprimit të policisë, njësisë së trafikut që shprehimisht e ndalon në rast se gjatë hartimit të tiketave mund të bën ndonjë lëshim dhe si pasojë ngelet gjurmë kinse për ndërhyrje.
Sipas avokatit, në pikën 5.5 të këtij memorandumi në faqen e 10 ka pranuar se nuk ekziston dokument i shkruar për zgjidhjen e këtij problemi, i cili i ka propozuar gjykatës që kësaj prove t’i falet besimi.
Prokurori Gashi, ka deklaruar se prokuroria konsideron se parimisht dhe ligjërisht jo gjithçka që në mënyrë decidive që nuk është e ndaluar, është edhe e lejuar.
“Në rast se ka paqartësi lidhur me atë se a ka qenë e lejuar apo ndaluar dhe nëse kjo çështje po del se nuk qenka mirë e rregulluar me ligj, atëherë në raste të tilla, prokuroria konsideron se duhet udhëhequr nga parimet udhëzuese të Ligjit për Policinë e Kosovës, respektivisht në nenin 2, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 të aplikueshëm për kohën edhe kur ka ndodhur ngjarja , ku në këtë parim udhëzues në mënyrë decidive është theksuar si në vijim “ trajtimi i barabartë dhe i drejtë i të gjithë personave”, ka thënë ai.
Sipas tij, në rastin konkret, nuk ka pasur trajtim të barabartë të të gjithë personave.
Ndërsa, avokati Hoxha është deklaruar edhe për librin e tiketave.
“Tiketa me tre numrat e fundit 642, e cila është e regjistruar në librin e tiketave me 25 euro, kjo tiketë edhe gjatë procedimit të provave dhe ekspertizës është vërtetu se nënshkrimi nuk është i Lulzim Gashit, mirëpo nga ajo që shihet këtu asnjë polic i Kosovës e as Lulzimi nuk ka mundur të shënojë tiketë tjetër nga fakti se shkelja është e paraparë me 25 euro sepse shpejtësia e lëvizjes ka qenë 35 më shumë se sa shpejtësia e lejuar”, ka thënë ai.
Sipas tij, sa i përket tiketës me numër 577, nga libri i tiketave të trafikut qartë shihet se është destinimi për gjykatë, e cila përputhet plotësisht me tiketën, ku fillimisht është bërë shenja e gjykatës.
“Dhe që në fillim kemi deklaruar se mbushjen e tiketës me 577 e ka bërë i mbrojturi im dhe nga kjo rezulton se është ligjore dhe e drejtë, mirëpo ndërhyrjet nuk i ka bërë i njëjti. Sa i përket tiketës me numër 574, e njëjta është sikur me tiketën 577, edhe këtu kjo tiketë është e regjistruar edhe me libër, njëjtë sikurse ka qenë e regjistrume apo shqyrtyme në momentin kur kundërvajtësi ka kryer shkeljen. I mbrojturi im në 7 të mëngjesit të 2 janar 2014 ka përfunduar ndërrimin e punës, ka regjistruar punën e vet në terren në libër të protokollit, në librin e tiketave dhe se tiketat i ka vendosur sanduk dhe nuk mban përgjegjësisë”, ka thënë avokati.
Ndërkaq, për tiketën tjetër për të cilën ai ka thënë se kanë pretenduar se i përket Destan Bytyqit, sipas tij, klienti i tij është konsultuar me eproren e tij dhe është konstatuar se tiketa nuk duhet të jetë e destinuar për gjykatë, por duhet të jetë dënim mandator sepse shpejtësia e lëvizjes ka qenë dënim që duhet t’i shqiptohet dënim mandator.
Prokurori Gashi, më pas ka deklaruar se pothuajse nga fillimi është gjetur arsye të neglizhohet kjo lëndë qe një vit dhe se edhe po të ishte lënda e krimit të organizuar do të përfundonte.
“Unë sikurse që e thash po e theksoj edhe njëherë unë flas vetëm për atë që është objekt i akuzës, janë tiketat që deshta me i përmend, por ato edhe i keni parë. Raporti i ekspertizës thotë që ka pas ndërhyrje në tiketa, provat që u prezantuan mund të jenë rrethanore. Nëse gjykata mendon se duhet t’ua fal besimin, le të mbetet në vlerësim të gjykatës”, ka thënë ai.
“A konsideron se gjykata me qëllim është duke neglizhuar zbatimin e procedurës penale në këtë çështje”, ka kërkuar të dijë gjykatësi Ibrahimi.
“Ky neglizhim nuk i atribuohet në asnjë mënyrë gjykatës, po natyrisht që nga pala mbrojtëse e të akuzuarit gjithmonë gjenden pretekste, respektivisht jepen propozime për prova të reja duke u anashkaluar obligimi ligjor i mbrojtës për zbulimin e provave ndaj prokurorit dhe atë më së largu deri në shqyrtimin e dytë gjyqësor ashtu si e dhe edhe KPRK, pasi çdo shqyrtim gjyqësor mbahet për provat e propozuara nga palët”, ka thënë prokurori Gashi.
Ai ka deklaruar se prokuroria konsideron se libri i tiketave të trafikut është akt procedural, i cili vjen në shprehje, pasi tiketat e trafikut të jenë lëshuar dhe se natyrisht që përmes këtij libri mund të mbulohen respektivisht të ketë devijime nga ajo çfarë është shkruar në tiketa të trafikut.
“Prandaj, i mbetet gjykatës ta vlerësoj përmbajtjen e këtij libri të tiketave të trafikut”, ka thënë ai.
Shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet më 31 maj, në ora 9:30.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, aktakuzën ndaj Lulzim Gashit për shkak të veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”, e kishte përpiluar me 30 shtator 2014.
Sipas prokurorisë, Gashi nga janari e deri në korrik të vitit 2014, në cilësinë e zyrtarit policor në Njësinë për Kontrollimin e Autostradave, me qëllim që t’i sjellë dobi pasurore personit tjetër, kishte ndërhyrë drejtpërdrejtë në fletë paraqitje për kundërvajtje dhe atë duke bërë ndërhyrje dhe duke ndryshuar destinacionin e tiketave nga dënimi për gjykatë në dënim në të holla prej 35 euro. /BetimipërDrejtësi
Kosova dhe Maqedonia e Veriut të gatshme për thellimin e bas...
Flet Atilla pas largimit: Fitova pak famë, u relaksua situat...
“Ta njohë dosjen që e ki në Suedi”, Mialim Zeka e ‘godet’ At...
Më shumë se 130 shtëpi të shkatërruara nga zjarret në Kalifo...
Mbjelljet vjeshtore kanë kaluar fazën optimale
Rast shqetësues në Pejë, pesë nxënës ndiqen nga persona të p...