Podujevë, paralajmërohen masa të rrepta për qytetarët që nuk respektojnë masat mbrojtëse ndaj coronavirusit

20:16 | 6 Janar 2021
L G

Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga Covid-19 ka mbajtur takim, në të cilin ka shqyrtuar gjendjen aktuale me pandeminë dhe ka paralajmëruar masa më të rrepta ndaj atyre që nuk respektojnë masat mbrojtëse, sipas udhëzimeve të institucioneve kompetente.

Në takimin e sotëm të Shtabit Emergjent, të udhëhequr nga nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, u diskutua për situatën e përgjithshme epidemiologjike në Komunën e Podujevës.

Në mbledhje u diskutua për vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, për kategorizimin e ri të komunave që u bë javën e kaluar, sipas numrit të personave të infektuar me coronavirus.

“Pas rënies të numrit të infektuarve në komunën tonë, Komuna e Podujevës është larguar nga zona e kuqe, duke kaluar kështu në zonën e verdhë, apo me rrezikshmëri të mesme”, tha nënkryetarja Lahu.

Lidhur me gjendjen me pandeminë Covid-19, epidemiologia Bedrie Rama, tha se situata është e mirë ditët e fundit, meqë ka rënie të rasteve. Ajo tha se numri i rasteve aktive me Covid-19 në komunën e Podujevës tani është 194.

Komandanti i Stacionit të Policisë, Isak Ejupi, tha se gjatë tërë kohës janë të angazhuar në zbatimin e planit operativ për implementimin e masave për parandalimin e pandemisë Covid-19.

Ai tha se gjatë muajit dhjetor janë shqiptuar 424 gjoba për qytetarët të cilët nuk kanë respektuar masat anti-covid. Gjithashtu, komandanti Ejupi informoi anëtarët e shtabit se vazhdimisht janë në monitorimin e personave të prekur me virus, për respektimin e vetizolimit.

Drejtori i Inspeksionit, Ajet Potera, shprehu shqetësim për mos respektim të masave anti-Covid, nga një pjesë e qytetarëve, si dhe nga sektori i gastronomisë dhe transportit publik. Ai tha se së bashku Policinë janë në bashkëpunim dhe koordinim, për ndërmarrjen e masave më të rrepta ndaj gjithë atyre që nuk i respektojnë masat.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Podujevë, Mensur Hoti, tha se me kalimin e Podujevës në Zonën e verdhë tani lejohen ceremonitë e varrimit dhe pritjet për të pame.

Shtabi Emergjent paralajmëron gjithë qytetarët dhe bizneset se policia dhe inspeksioni do të ndërmarrin masa të rrepta ndaj atyre nuk respektojnë masat anti-Covid. Apelohet te qytetarët që të vazhdojnë të bartin maskat dhe të mbajnë distancën sociale. /Telegrafi/

Të ngjashme