Podujeva furnizohet me pak pajisje mbrojtëse kundër koronavirusit, i bënë apel për ndihmë Qeverisë

13:39 | 17 Mars 2020
Arbresh.info

Tashmë në Komunën e Podujevës është konfirmuar një rast me virusin Covid-19.

Podujeva është furnizuar me pak materiale higjienike për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Kjo komunë nëpërmjet procedurave urgjente të prokurimit ka blerë disa materiale për institucionet shëndetësore, shkruan lajmi.net.

Sipas autoriteteve të kësaj komune, materialet e blera nuk mjaftojnë, andaj ata i kanë bërë apel për ndihmë Qeverisë së Kosovës.

Tenderi i realizuar quhet: “Furnizim urgjent me mjete dhe pajisje mbrojtëse për nevoja të stafit të QKMF-së, Administratës komunale, arsimit si përgjigje në situatën epidemiologjike të krijuar nga virusi COVID-19”.

Grup i Operatorëve Ekonomik që e kanë bërë furnizimin në vlerë prej 23 mijë e 100 euro është N.SH.T “Nermed” & “Genius Kosova”.

Nexhmi Rudari, kryetari në detyrë i Komunës së Podujevës ka thënë për lajmi.net se artikujt e blerë nuk mjaftojnë, andaj po shpreson në një ndihmë nga qeveria.

“Sa i përket furnizimit me mjete mbrojtëse, ne si Komunë kemi bërë në kontratë me procedura të shpejtuara ku kemi furnizuar QKMF-në me një mijë maska, po aq doreza, bluza mbrojtëse, syza etj., mirëpo këto nuk mjaftojnë andaj kisha apeluar të qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë që Podujevën ta kenë me trajtim të veçantë pasi që kemi raste në Podujevë edhe të na furnizojnë me material shtesë, qoftë me barna qoftë edhe me mjete mbrojtëse por edhe për punëtorët e tjerë”, tha Rudari për lajmi.net.

Sipas dosjes së tenderit, Komuna ka porositur katër lloje të artikujve.

1, dispenzer për dezinfektues (1 litër) 10 copë.

2, dezinfektues (1 litër), 300 copë.

3, maska mbrojtëse 3 paleshe, 2000 copë.

4, sfungjer dezinfektues 70 x 50 cm, 50 copë.

 

Të ngjashme