Google ADS

Podujeva e paprekur nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm

13:58 | 3 Mars 2017
Arbresh.info

Parandalimi dhe luftimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit ishte tema e ligjëratës dhe debatit së mbajtur me nxënësit e Shkollës së Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë, në të cilën folën kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe Këshillit të Bashkësisë Islame.

Pasi foli për shkaktarët dhe pasojat nga ky fenomen, kryetari i komunës Agim Veliu tha se është fat i mirë, që në mesin e atyre që kanë shkuar në luftëra të huaja në krah të grupeve ekstremiste dhe terroriste nuk ka të rinj nga komuna e Podujevës.

“Kur flitet për përfshirjen dhe rrezikun nga përhapja e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në vendin tonë, komuna e Podujevës merret si shembull i mirë ku ky fenomen nuk ka shtrirë rrënjë. Kjo na bën të lumtur, sepse tregon se qytetarët tanë, që i takojnë besimit islam, vazhdojnë të praktikojnë islamin tradicional, duke mos lënë vend për futjen e elementëve radikalë. Për këtë meritat më të mëdha i keni ju të rinjtë, prindërit tuaj dhe predikuesit e fesë islame (hoxhallarët), duke mos lënë hapësirë që në objektet e kultit fetar, në xhami, por as në familjet tona të depërtojnë ata, që në emër të fesë promovojnë radikalizëm dhe ekstremizëm të dhunshëm”, tha kryetari Veliu.

Rreth ekstremizmit të dhunshëm, shkaqet që shpiejnë drejt radikalizmit dhe mënyrat e parandalimit të radikalizmit në Kosovë foli edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.

Zëvendësministri tha se ligjërata po mbahen në kuadër të Strategjisë Nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, me qëllim parandalimin e përhapjes së ideologjive të reja në aspektin e radikalizmit dhe ekstremizmit.

Më pastaj lidhur me këtë temë, për rrezikun dhe format e luftimit të kësaj dukurie, folën edhe përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe Këshillit të Bashkësisë Islame dhe shoqërisë civile.

Ligjërata dhe debati me nxënësit e Shkollës “Isa Boletini” u organizua në kuadër të Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm 2015 – 202, të dalë nga Qeveria e Kosovës. Në bazë të këtij dokumenti Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevë, ka hartuar Planin e Veprimit lokal, ku janë planifikuar ligjërata lidhur me rrezikun që paraqet radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme