Ajri i ndotur në Prishtinë vazhdon të jetë shqetësues në vend. Ndonëse, zyrtarët në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thonë se trendi i cilësisë së ajrit në Prishtinë, ka një përmirësim të ndjeshëm në krahasim me vitet e tjera, edhe pse cilësia e ajrit nuk është në nivel të kënaqshëm as gjatë vitit 2017.
Frymëmarrja e tij veçse vështirësohet posa del dhe thith ajrin në kryeqytet.
Fahri Hoxha, është një nga qytetarët e shumtë në vend, i cili ankohet për nivelin e ndotjes së madhe të ajrit.
“Tek unë ka ndikim shumë të madh, pasi që kohë pas kohe kam problem me frymëmarrje”, tha Hoxha për Express.
Për shumë qytetarë sidomos për ata që janë në moshë të shtyrë, ndotja e ajrit shihet si një rrezik i vazhdueshëm për shëndetin e tyre.
“Ndotja e ajrit është një rrezik i vazhdueshëm që na kërcënon këtu në Prishtinë më së shumti për shkak se ka shumë vetura që lëshojnë gazra që janë të vjetra dhe plus nga Obiliqi, tymi hetohet jo veç në Prishtinë, por edhe më larg. Shoqëria jonë, shteti ynë është mirë të bëjë diçka më të mirë dhe më konkrete për ta tejkaluar këtë problem. Ndoshta nuk e vërejmë shumë tani, por pasojat ndihen më vonë”, thotë Mujë Berisha, një qytetar tjetër nga Prishtina.
Nga katër komponentët kryesorë të mjedisit, momentalisht problemet me ajrin po dalin të jenë më të mëdha.
Sipas njohësit të çështjeve të mjedisit, Behxhet Mustafa, ndotësit më të mëdhenj konsiderohen të jenë veturat dhe termocentralet në Obiliq.
“Ndotja e ajrit është evidente, prej katër komponentëve të mjedisit sa janë, ajri, uji, toka, biodiversiteti, si duket ajri është më i atakuari, problemet me të i kemi më të mëdha. Pa dyshim se shkaqet janë të njohura, burimet ndotëse më të mëdha janë termocentralet tona në Obiliq dhe natyrisht automobilizmi që janë me një moshë mesatare mbi 20 vjet”, u shpreh për Express Mustafa.
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit e Kosovës ka publikuar të dhënat për nivelin e ndotjes së ajrit në Prishtinë në raportin ditor.
Sikurse shihet edhe nga raportet ka tejkalime të herëpashershme të mesatareve të lejuara kryesisht për Grimcat e Pluhurit PM10 dhe PM2.5.
Ndërkohë, zyrtarët në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thonë se trendi i cilësisë së ajrit në Prishtinë, ka një përmirësim të ndjeshëm në krahasim me vitet e tjera, edhe pse cilësia e ajrit nuk është në nivel të kënaqshëm as gjatë vitit 2017.
“Nëse krahasojmë muajin dhjetor të vitin 2016 me muajin dhjetor të vitin 2017, në bazë të numrit të ditëve me tejkalime për stacionet matëse në Prishtinë, vërejmë se nr. i ditëve me tejkalim të vlerës së lejuar të PM10 në ajër, gjatë muajit dhjetor vitit 2016 ishte 45 ditë, ndërsa gjatë muajit dhjetor i vitit 2017 për të njëjtin parametër ishte 26 ditë. Por kur flasim për cilësinë e ajrit duhet marrë për bazë edhe kushtet meteorologjike gjatë një sezone të caktuar të cilat ndikojnë dukshëm në shpërndarjen e ndotësve”, theksoi Bajram Kadriu, zyrtar për komunikim me publikun nga MMPH.
Kadriu më tej thotë se MMPH është duke u angazhuar në zbatimin e disa aktiviteteve me qellim të përmirësimit të cilësisë së ajrit.
“Masa tjera që ka ndërmarrë MMPH, janë edhe kërkesat drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës për zbatimin e Udhëzimit Administrativ për monitorimin e shkarkimeve në ajër nga burimet e lëvizshme apo automjetet motorike, pastaj kërkesa drejtuar Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për rritjen e kontrollit të cilësisë së derivateve si dhe kërkesa drejtuar komunave që sipas kompetencave të tyre të hartojnë plane lokale për reduktimin e ndotjes në ajër”, tha Kadriu.
Dhjetra të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë dhe Liban
Asociacioni “do të jetë” kusht edhe për BE, thotë Guerot
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Haradinaj: Anëtarësimi direkt në NATO është domosdoshmëri pë...
Reagon Ana përmes një postimi pas daljes nga “Big Brother”
Ellek: Pres që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje