Reagimet e ashpra të autoriteteve të Serbisë, madje edhe me tone fyese, lidhur me miratimin e Platformës së Kosovës për dialog me këtë vend nga Kuvendi i Kosovës, nuk paraqesin diskurs befasues, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.
Autoritetet e Serbisë e kanë vlerësuar Platformën e Kosovës për dialog si “të keqe” dhe të “tmerrshme”, duke e cilësuar atë si provokim dhe pengesë për zhvillimin e dialogut në të ardhmen.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të martën ka shprehur habinë e tij me reagimet në Serbi në lidhje me platformën e Kosovës për dialogun. Ai ka theksuar se nuk e kupton pse ka këso reagimesh, pasi që platforma është e Kosovës dhe jo e Serbisë.
Analisti i çështjeve politike, Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në diskutimet brenda opinionit në Kosovë, ekzistojnë mendime se Platforma për dialogun ka mangësi, por marrë parasysh që ajo është platformë shtetërore e Kosovës për dialogun, si e tillë është deklaruar si e papranueshme nga autoritetet e Serbisë.
“Gjithçka që e ofron Kosovën drejt subjektivitetit të saj shtetëror dhe njohjes së saj nga shtetet e tjera, normalisht që nuk është e mirëpritur nga Serbia. Për këtë arsye nga ajo mund të merret thjeshtë si një provokim i radhës, duke pasur parasysh edhe të gjitha faktet apo çështjet që i përmban Platforma, e cila në disa raste e shpërfaq në tërësi edhe agresionin serb, sepse flitet edhe për luftën dhe reperacionet e saj. Andaj, ma merr mendja që kjo mund të jetë edhe arsyeja pse po trajtohet si provokim nga ana e Serbisë”, theksoi Murati.
Njohësi serb i çështjeve politike, Rangjel Nojkiq, thotë se Platforma e Kosovës për dialog me Serbinë, në një masë të madhe është rezultat i diskursit të autoriteteve të Serbisë, të cilat ka dërguar porosi për mundësinë e caktimit të kufijve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve si zgjidhje e problemit.
Marrë parasysh edhe qëndrimet e Qeverisë dhe të opozitës në Kosovë që e kundërshtojnë këtë ide, sipas tij, autoritetet e Serbisë nuk është dashur të befasohen me Platformën për dialog, të cilën e ka miratuar Kuvendi i Kosovës.
“Mund të themi që kjo është kundërmasë, por unë nuk shoh këtu asnjë provokim. Nëse flasim për provokim, atëherë ato janë nga të dyja palët dhe kjo është vetëm blerje e kohës në një pozicion ‘pat’ (asnjanës) që është tash. Premtimet që i janë dhënë bashkësisë ndërkombëtare, para së gjithash nga Beogradi dhe nga kryetari (i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq, janë thyer dhe tashmë Beogradi e interpreton platformën dhe gjithçka tjetër si provokim”, theksoi Nojkiq.
Presidenti i Serbisë, pas miratimit të Platformës për dialog nga ana e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar platformën si një letër, m 8 mars të këtij viti, pati reaguar me fjalor mjaft të ashpër.
“Tash, me këtë letër, bandë nga Prishtina, shporruni ku të doni dhe shihni se a mundet dikush tjetër t’ua plotësojë atë që po kërkoni. Serbia nuk do t’ua plotësojë atë”, pati thënë Vuçiq.
Po ashtu, me tone të ashpra, të njëjtën ditë pati reaguar edhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj, i cili është bashkëkryesues i Delegacionit shtetëror të Kosovës në dialogun me Serbinë. Në një shkrim në rrjetin social Faceboook, Limaj e ka krahasuar diskursin e Vuçiqit, me “retorikën luftënxitëse” të ish-presidentit të Serbisë, Slobodan Milosheviq.
“Në fakt, kjo është shkolla e Millosheviqit që Vuçiq me shumë përkushtim po mundohet ta imitojë ish-shefin e tij në çdo gjë”, ka thënë Limaj.
Autoritetet e Serbisë më herët patën deklaruar se taksa prej 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë është pengesë për vazhdimin e dialogut me Kosovën. Por, së fundmi, në këtë drejtim, ata e shohin pengesë edhe Platformën e Kosovës për dialog.
Analisti Murati vlerëson se qëndrimet e tilla të autoriteteve të Serbisë, më tepër janë për konsum të brendshëm, shkruan rel, përcjell albinfo.ch.
“Këto janë më tepër deklarata për të kënaqur edhe qytetarët serbë, si dhe normalisht, për ta shtyrë afatin sa më tepër, në mënyrë që të përfitojnë sa më tepër nga një marrëveshje finale. Sipas të gjitha gjasave, një marrëveshje finale, herët ose vonë, do të arrihet, mirëpo nëse luhet me faktorin e kohës, atëherë ka më tepër mundësi secila palë që të mundohen që t’i shtyjnë interesat e veta, sa më tepër. Në këtë rast, interesat e Serbisë dihen. Do të thotë, që përmes prolongimit të procesit të dialogut ta prolongojë edhe procesin e njohjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës”, vlerësoi Murati.
Por, Nojkiq vlerëson që aktualisht të dyja palët, Kosova dhe Serbia, po i ikin dialogut dhe po përpiqen të fitojnë kohë.
“Ekzistojnë ndarjet brenda vet bashkësive. Ju e shihni që as në Prishtinë nuk ka unitet lidhur me atë që ndërmerr qeveria ose presidenti. Gjithashtu, edhe në Beograd, opozita po e gjykon atë që po e bën Vuçiqi dhe qeveria. Opozita në Serbia, në fakt thotë që nuk e din se cili është qëndrimi i Beogradit për çështjen e Kosovës, n krahasim me Prishtinën, e cila e ka një qëndrim të caktuar. Mendoj që kjo është arsyeja se pse është krijuar ky ‘pat’ pozicion dhe se kjo është blerje e kohës”, tha Nojkiq.
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...
Konjufca mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit ...
Memli Krasniqi merr një fanellë dhuratë nga Granit Xhaka
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...
Gjyqtarët kosovarë ndajnë drejtësi në ndeshjen e Conference ...
Agjencioni Anti-Korrupsion do të hetojë grantet për vëllain ...