“Plani për shkatërrimin” e KEK-ut, dekurajon investitorët dhe rritë çmimin e energjisë për 60%

10:04 | 5 Shtator 2020
Arbresh.info

Një “plan për shkatërrimin” e KEK-ut, po paraqitet si alarm për të rishikuar një vendim qeveritar të para rreth dhjetë vjetëve në lidhje me zhvillimin e “Minierës së re”. Plani aktual, për shkak të kostos së lartë, po vlerësohet se përveç falimentimit të KEK-ut, mund të sjellë Kosovën në një rrezik financiar dhe social. Për më tepër alarmohet edhe për dekurajim të investitorëve dhe rritje të çmimit të energjisë deri në 60 për qind.

Shefi i Grupit Punues Teknik, Izet Ibrahimi, në një intervistë për arbresh.info thotë se “Miniera e re” ka për qëllim të furnizojë me thëngjill kapacitetet aktuale gjeneruese të energjisë dhe atyre në të ardhmen që mund të ngritën.

Por, sipas tij po bëhet debat nën presione për fushën në Jug, pasi mbështetësit e fushës në Veri janë më të fuqishëm.

“Por, Jugu është një prej fushave që kualitetin e thëngjillit e ka larg më të mirë se sa në fushën Veri. Prona e Jugut është pronë e KEK-ut mbi 90 për qind. KEK-u ka licencë operimi për 52 hektarë për këtë fushë, dhe më e rëndësishmja është se mbi këtë fushë nuk ka mundësi të degradimit të mëtutjeshëm të tokave rreth KEK-ut. Fillimisht Qeveria ka mbështetur këto hulumtime, dhe ka nxjerrë një vendim se KEK-u është i obliguar të fillojë me hartimin e planit kryesor xehetar për zhvillimin e “Minierës së re” në fushën Jug”, thotë Ibrahimi.

Sipas tij fusha në Veri është 100 për qind private, dhe se aktivitetet minerare në fushën Veri determinojnë zhvendosjen e banorëve, ose banimi në atë zonë do të jetë shumë i rrezikshëm në aspektin shëndetësor.

“E blerë prej njerëzve të fuqishëm, që do t’i shkaktojnë dëme Kosovës me shuma të mëdha. Përmes vendimit pesëfishohet çmimi për tokë miniere, ndoshta edhe më i lartë në raport me çmimin e tregut. E dyta, dheu duhet të hidhet në fushën Jug, dhe me hedhjen e një miliard ton dhe, ajo fushë mbetet e pa shfrytëzueshme. Orientimi strategjik i politikave për fushën ne Veri ishin edhe në kohën e Millosheviqit, në mënyrë që banorët serbë në atë zonë të zhvendosen për një jetë më të mirë”, deklaron Ibrahimi.

Ai vlerëson se pas luftës sabotazhi më i madh po i bëhet vendit në kontekstin e zhvillimit të sektorit të energjisë, nëse nuk ndalet, sektori energjisë do të bie në kolaps

Sa i përket fushës Veri, Ibrahimi shton se barrën financiare nuk mund ta përballojë KEK-u, në shpronësime dhe investimet në sistemin e nxjerrjes dhe modernizimit të minierave janë mbi një miliard.

“Kur kësaj i shtohet praktika e keqe me Hade dhe Shipitullë, atëherë rrezikon të falimentojë jo vetëm KEK-u, por edhe Kosovën e sjellë në një rrezik financiar dhe social. Kjo situatë më së paku i konvenon sektorit të energjisë, dhe më së shumti njerëzve të fuqishëm që kanë bërë prona duke projektuar se miniera duhet t’i bie nëpër arat e tyre”, thotë Ibrahimi.

Ai flet edhe për dëmet tjera që mund të sjellë fusha Veri, derisa flet edhe për çmime.

“Çmimi për ngritjen e ‘Minierës së re’ do ta rrisë për 60 për qind çmimin e energjisë elektrike, dhe i dekurajon investitorët e ardhshëm për të ngritur kapacitete të reja gjeneruese në Kosovë. Nëse aktualisht një ton nxirret me 8.2 euro për ton, do të rritej në 16 euro për ton, atëherë askush nuk ka llogari të prodhojë energji nga linjiti, meqë energji më e lirë nga uji ose burimet tjera në rajon, ose e vet linjiti në Serbi”, vlerëson Ibrahimi.

Grupi Punues kishte rekomanduar eksploatimin e resurseve të linjitit në fushën Jug. Sipas Ibrahimit, eksploatimi me kosto minimale do të nxiste edhe investimet në sektorë tjerë të energjisë, por edhe për forma tjera të shfrytëzimit të këtyre rezervave.

“Jugu është vazhdimësi e aktiviteteve minerare 100 vjeçare në kontekstin e eksploatimit të rezervave energjetike në Kosovës, dhe me vlera kalorike shumë më të lartë, është pronë e KEK-ut, nuk degradohet mjedisi dhe është e pa ekspozuar si fushë. Dhe të kundërtat  e këtyre i ka varianti Veri”, deklaron Ibrahimi./M.Avdimetaj/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme