Plagosen dy nxënës në Podujevë, Veliu i shqetësuar

14:52 | 6 Mars 2017
Arbresh.info

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, shpreh keqardhje dhe shqetësim lidhur me plagosjen e dy nxënësve të Shkollës së Mesme Teknike “Fan S.Noli” në Podujevë, të cilët janë plagosur në klasë nga një predhë e shkrepur nga arma e zjarrit jashtë objektit të shkollës.

“Sot në mëngjes nga Drejtoria e Shkollës Teknike “Fan S. Noli” jam njoftuar se nga një predhë e shkrepur nga armë zjarri jashtë objektit të shkollës, dy nxënës brenda në klasë kanë marrë plagë të lehta”, është shprehur Veliu.

Ai thotë se ka me të marrë lajmin ka vizituar shkollën, ku lidhur me rastin e ka njoftuar udhëheqjen e shkollës dhe Policinë e Kosovës.

“Institucionet e sigurisë janë në fazën e hetimeve dhe sigurisht se do të dalin me informatë zyrtare dhe të detajuar për rastin. Ky rast është për shqetësim, por fatmirësisht nxënësit i kanë shpëtuar më të keqes dhe shpresojmë se plagët e marra nuk do të kenë pasoja për shëndetin e tyre”, ka thënë tutje Veliu.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga të shtënat me armë, sepse rasti i sotëm dëshmon më së miri për rrezikun që mund ta sjellë përdorimi i tyre në mënyrë të pakontrolluar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme