Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, me vendimin e 14 dhjetorit 2023, ka refuzuar kërkesën e Pjetër Shalës për një vizitë psikologjike, me arsyetimin se mbrojtja është dashur t’i drejtohet regjistruesit të paraburgimit përpara se ta përfshijë panelin në këtë çështje.
Në vendim, thuhet se paneli i trupit gjykues, më 11 dhjetor 2023 mori kërkesë urgjente për vizitë të psikologut për të akuzuarin Pjetër Shala, por kjo kërkesë është refuzuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“REFUZON Kërkesën; dhe b. URDHËRON palët dhe mbrojtësin e viktimave që të respektojnë udhëzimet e Panelit siç janë përcaktuar në këtë vendim”, thuhet në dispozitivin e këtij aktvendimi.
Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se më 25 tetor 2023, trupi gjykues vendosi se në rast që Shala shpallet fajtor për një ose më shumë nga krimet për të cilat akuzohet, do t’i përcaktojë dënimin përkatës me shpalljen e aktgjykimit.
Si rrjedhojë, paneli udhëzoi mbrojtjen e Shalës që të paraqesë çfarëdo dëshmie për dënimin, më së voni deri në mbylljen e rastit. Kurse, më 29 nëntor 2023, paneli vendosi që data e mbylljes së këtij afati për mbrojtjen të jetë deri më 15 janar 2024.
Por, thuhet se më 11 dhjetor 2023, paneli kishte marrë kërkesë urgjente nga mbrojtja e Pjetër Shalës për një vizitë psikologjike, së bashku me njoftimin për kërkesën për thirrje të provave relevante për dënim.
Gjithnjë sipas vendimit, mbrojtja e Shalës kishte parashtruar se ka kontaktuar me një eksperte psikologjike, me qëllim që të kryejë një vlerësim për të akuzuarin dhe të prodhojë një raport mbi shëndetin e tij mendor, si dhe ndikimin që kanë pasur procedurat e Dhomave të Specializuara të Kosovës tek ai.
“Mbrojtja për Pjetër Shalën (Mbrojtja) parashtron se ka kontaktuar me një eksperte psikologjike, e regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Ekspertëve në Gjykatën Belgjike, znj. Vanessa Milazzo (Znj. Milazzo), me qëllim që të kryejë një vlerësim të të akuzuarit dhe të prodhojë një raport mbi shëndetin e tij mendor, ndikimin e procedurave para Dhomës së Specializuar në jetën e tij , dhe sjelljen e tij pas ngjarjeve të pretenduara në aktakuzën e konfirmuar deri më sot. Mbrojtja synon ta prezantojë raportin si provë me qëllim të dënimit dhe/ose të dëshmojë znj. Milazzo para trupit gjykues”, thuhet në vendim.
Tutje, thuhet se mbrojtja i kërkoi panelit që të krijohen rrethanat që psikologja ta vizitojë Shalën më 18 dhe 19 dhjetor 2023 dhe t’i jepet asaj të paktën tri orë kohë në vizita.
“Për këtë qëllim, mbrojtja i kërkon Panelit që të udhëzojë Sekretarin dhe Njësinë e Menaxhimit të Paraburgimit që: (i) të lejojnë znj. Milazzo të vizitojë të akuzuarin më 18 dhe 19 dhjetor 2023; (ii) heq dorë nga kërkesa që vizitat të organizohen 15 ditë përpara; (iii) të lejojë znj. Milazzo të sjellë një fletore dhe mjete shkrimi në vizitë, për të mbajtur shënime nga bisedat e saj me të Akuzuarin; dhe (iv) t’i japë asaj të paktën tre orë gjatë çdo vizite për të kryer vlerësimin e saj. Më 12 dhjetor 2023, për të siguruar një zhvillim të shpejtë të procedurave, Paneli e refuzoi kërkesën përmes emailit, me arsye dhe udhëzime të mëtejshme për t’u ndjekur, dhe udhëzoi Mbrojtja t’i bëjë kërkesat e nevojshme Kryeshefit të Paraburgimit pa vonesë”, thuhet në vendim.
Aty thuhet se paneli kërkoi informacion shtesë nga mbrojtja, nëse raporti i Milazzos do të përgatitej në anglisht ose në një gjuhë tjetër, kurse mbrojtja e informoi panelin se raporti do të përgatitej në frëngjisht dhe do të përkthehej në anglisht.
Pas kësaj, vendimi ofron arsyet e panelit për refuzimin e kësaj kërkese, si dhe cakton afatet kohore për paraqitjen e provave nga eksperti i thirrur nga mbrojtja dhe parashtresat eventuale si përgjigje nga ZPS-ja dhe mbrojtja e viktimave.
Sipas kësaj, paneli ka theksuar se asgjë në kërkesë nuk sugjeron që mbrojtja i është drejtuar shefit të paraburgimit me ndonjë kërkesë përkatëse dhe se një kërkesë e tillë të është refuzuar. Po ashtu, thuhet se paneli nuk ka vendosur ndonjë kufizim në kontaktet dhe komunikimet e të akuzuarit që do të kërkonte ndërhyrjen e panelit për të autorizuar ndonjë vizitë.
Rrjedhimisht, paneli ka konstatuar se mbrojtja e Shalës është dashur që së pari t’i drejtohet Regjistruesit të Paraburgimit përpara se ta përfshijë panelin dhe nuk gjen ndonjë arsye për të ushtruar mbikëqyrje gjyqësore në këtë situatë.
“Rrjedhimisht, Paneli konstaton se Mbrojtja është dashur së pari t’i drejtohet Kryeshefit/Regjistruesit të Paraburgimit para se të kontaktojë Panelin dhe nuk gjen ndonjë arsye për të ushtruar mbikëqyrje gjyqësore në këtë situatë. Për këto arsye, Paneli e refuzon kërkesën dhe e udhëzon mbrojtjen që t’i bëjë kërkesat e nevojshme Kryeshefit të Paraburgimit pa vonesë”, thuhet në vendim.
Tiranë, kongresi studentor: Papunësia dhe emigracioni janë p...
Granit Xhaka me Zvicrën kërkojnë revanshin sonte ndaj Serbis...
Zyrtari i Hamasit: Të gatshëm për një armëpushim në Gaza
Hovenier falënderon stafin e ambasadës për avancimin e partn...
Në pamundësi të jenë në Rumani, yjet “Dardan” dë...
IKD: Qeveria dhe Kuvendi të nisin me urgjencë zbatimin e Akt...