Sot, 24 karabinierë nga Italia, 20 zyrtarë të sigurisë publike nga Lituania dhe pesë xhandarë nga Xhandarmeria Nacionale e Francës të cilët shërbejnë në Njësinë Policore të Specializuar Rezervë (NJPSR) të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) u shpërblyen me medalje për shërbim në Politikën e Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje e cila ndahet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së.
Medalja është mirënjohje konkrete dhe e përhershme për përkushtimin e fuqishëm të pjesëtarëve të stafit të Misionit në EULEX dhe PPSM të BE-së, përcjell Arbresh.info.
Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, ishte nikoqir i ceremonisë në Kompleksin e Misionit për operacione dhe mbështetje, në praninë e Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe Komandantit të Operacioneve Civile të BE-së dhe Drejtorit menaxhues të Kapacitetit për Planifikime dhe Veprime Civile (CPCC), Stefano Tomat.
“Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Tomáš Szunyog, Zëvendëskomandanti i Shtabit të Përhershëm të Forcës së Xhandarmerisë Evropiane (EUROGENDFOR), Kolonel Marian Panfil, Komandanti i Njësisë Shumëkombëshe të Specializuar të KFOR-it si përfaqësues i Komandantit të KFOR-it dhe Autoritetit të Mbrojtjes Nacionale të Italisë, Kolonel Ruggiero Capodivento, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Dejan Janković, Shefa të Misioneve të shteteve anëtare të BE-së, dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë”, thuhet në njoftimin për media.
Duke i falënderuar të shpërblyerit me medalje, të cilët do të dislokohen nëpër shtetet e tyre deri në mes të muajit shkurt, Barbano nënvizoi bashkëpunimin e ngushtë mes Kosovës dhe BE-së për fuqizimin e sundimit të ligjit në interes të të gjitha komuniteteve në Kosovë.
“EULEX-i është i përkushtuar të mbështetë institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit,” theksoi Barbano,
“Njësia Policore e Specializuar Rezervë e EULEX-it, bashkë me Njësinë Policore të Specializuar të rregullt, kanë punuar ngushtë me KFOR-in në një mjedis të brishtë të sigurisë. Ajo ka monitoruar thuktë aktivitetet e Policisë së Kosovës në pajtueshmëri me mandatin e saj dhe ka siguruar popullatën me praninë e saj të dukshme në zonat më të ndjeshme, duke përfshirë gjatë dhe pas rastit të dhunshëm në Banjskë”, shtoi ai.
“Jam thellësisht i nderuar të jem i pranishëm në ceremoninë e ditës së sotme kur ne e njohim kontributin dhe përkushtimin e personelit, të cilët krahas Misionit të tyre dhe në bashkëpunim me institucionet tona, janë të përkushtuar për ruajtjen e sundimit të ligjit, duke promovuar paqe dhe stabilitet”, ka thënë ministri Sveçla duke iu drejtuar NJPSR-së.
Në veçanti, Sveçla falënderoi Italinë, Lituaninë dhe Francën, pasi që kontributi i tyre në NJPSR dëshmon angazhimin për mbështetjen e vendosmërisë së Kosovës për t’u bërë faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë
Tomat përgëzoi NJPSR-në për shërbimin e tyre të guximshëm dhe të paanshëm.
“Ju jeni duke e përçuar një porosi nga Bashkimi Evropian. Ju jeni duke përfaqësuar vlerat evropiane, pikë së pari vlerën e paqes,” duke theksuar rëndësinë e pasjes së një partneritetit të mirë me institucionet e Kosovës dhe duke shtuar se angazhimi i NJPSR-së është mënyrë për promovimin e elementeve më të vlefshme të thelbit të Bashkimit Evropian.
Me këtë rast Panfil i prezantoi Barbanos medaljen e argjend të EUROGENDFOR për shërbime të dalluara, e ndarë si mirënjohje për shërbimin e tij meritor të jashtëzakonshëm si komandant i Njësisë Policore të Integruar nën patronatin e EUROGENDFOR në EUFOR Althea (Bosnje e Hercegovinë) nga tetor 2007 deri tetor 2008.
Para vijimit të ceremonisë për ndarjen e medaljeve, Tomat iu bashkua Barbanos në inaugurimin zyrtar të selisë së re të EULEX-it, e cila sapo është zhvendosur në zonën industriale në Prishtinë, në afërsi të Kompleksit të EULEX-it për operacione dhe mbështetje./Arbresh.info
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...